G20 në Romë, blindohet qyteti, rrezik nga protestat e grupeve ‘Black Block’

Kryeqyteti italian Romë, prej ditës së sotme është i blindur në masa të larta sigurie në pritje të Samitit të vendeve të grupit G20, që do të mbahet më 30-31 tetor.

Krerët e 20 ekonomive më të fuqishme të botës që përbëjnë 80% të PPB globale e 75% të tregtisë botërore do të mblidhen në Romë për të diskutuar tre temat e mëdha; emergjenca shëndetësore globale e vaksinimi antiCovid, mjedisi, zhvillimi e rimëkëmbja ekonomike provokuar nga virusi.

Njerëzit, kriza klimatike e ekonomia globale, janë çështjet kyçe ku është orientuar axhenda e punimeve të presidencës italianr, por dhe Afganistani, kriza e energjisë, varfëria, pabarazia ekonomike brenda popullsisë por dhe mes vendeve të pasura e të varfra, theksuar nga emergjenca pandemike, garantimi i furnizimit me vaksina do të jenë në fokusin e këtij takimi të rëndësishëm.

Është hera e parë që pas ngritjes së grupit G20 më 1999, që liderët e këtyre vendeve mblidhen në Itali.

Të pranishëm do të jenë të gjithë liderët e 20 vendeve anëtare, me përjashtim të presidentit rus Vladimir Putin e presidentit kinez Xi Jinping që do të jenë pjesëmarrjes përmes video konferencës.

Kanë konfirmuar pjesëmarrjen kryetarja e Komisionit Europian Ursula Von Der Leyen e Kreu i Këshillit të Europës, Charles Michelin.

Rreth 5000 punonjës rendi të policisë italiane, reparte të forcave speciale e punonjës të policisë rrugore prej ditës së sotme kanë nisur mbikrqyrjen me një rreze 10 km nga Qendra e Kongreseve "La Nuvola", ku do të mbahet samiti.

E gjitha zona është shpallur "no fly zone", e snajpera specialë janë pozicionuar në terracat e ndërtesave për të vëzhguar e garantuar sigurinë e liderëve botërore me delegacionet përkatëse.

Presidenti amerikan Biden do të mbërrij në Romë, dy ditë para nisjes së samitit e ditën e premte më datë 29 tetor do të takohet në Selinë e Shenjtë me Papa Franceskon e më pas me kryeministrin italian Mario Draghi.

Presidenti amerikan ka informuar se do të zhvilloj në Romë dhe një takim dypalësh me Presidentin Francez Macron.

Ministria e Brendshme italiane, ka hartuar  një plan special sigurie, e do të mbikëqyrë manifestimet e grupeve No Green Pass, aktivistëve në mbrojtje të klimës "Fridays For Future", grupeve të pavarura sindikaliste e lëvizjeve No Global,  që priten të zhvillohen gjatë ditëve të samitit.

Preokupimi është se ekstremistë të grupeve ‘Black Block’ mund të infiltrohen mes manifestuesve siç ka ndodhur në mbledhjet e mëhershme të G20, duke provokuar protesta të dhunshme.

Lëvizja e delegacioneve qeveritare do të bëhet përmes korridoreve rrugore të paracaktuar e të garantuar nga siguria e policisë e forcave ushtarake italiane.