Sulm me thikë në një lokal të Vjenës, 4 të plagosur. Autori i ndoqi klientët edhe jashtë lokalit
Katër persona u plagosën nga një sulm me thikë në kryeqytetin e Austrisë, Vjenë ditën e sotme, 26 tetor.
Një 35-vjeçar kishte hyrë në një lokal në lagjen Brigittenau të Vjenës rreth orës 14:00 dhe ka rrëmbyer një thikë. Sipas ORF, klientët e pranishëm u larguan menjëherë jashtë. Autori ka dalë edhe nga lokali dhe ka goditur me thikë rastësisht kalimtarët.
Katër të plagosurit janë dërguar në spital, megjithatë nuk janë në rrezik për jetën, ndërsa autori është imobilizuar nga qytetarët që ndodheshin në vendngjarje.
Autori 35-vjeçar është mbajtur nën kontroll nga të pranishmit deri në mbërritjen e urgjencës. Sipas policisë, kur u arrestua ai dha informacione të ngatërruara, duke shtuar dyshimet se vuan nga probleme psikologjike.
“Një motiv politik apo fetar konsiderohet i pamundur pas hetimeve fillestare”, tha një zëdhënës i policisë. Sipas ORF, autori ishte i njohur më parë për policinë.
