Mblidhet Bundestagu i ri gjerman, do të drejtohet nga gratë

Anëtarët e legjislaturës së re parlamentare në Gjermani, u mblodhën për herë të parë këtë të martë.

Të 736 anëtarët e Bundestagut kanë zgjedhur Baerbel Bas Presidente.

Ajo është pjesë e Social-Demokratëve, parti, e cila në zgjedhjet e muajit të kaluar ka dalë e para.

Kancelarja Merkel mori pjesë si vizitore në këtë seancë pasi nuk ka më mandat deputeti.

Bundestagu ka një numër rekord deputetësh këtë herë. Shoqata e taksapaguesve ka protestuar me argumentin e rritjes së shpenzimeve që shkojnë mbi 410 milionë euro gjatë këtij mandati.

Bundestagu i dalë nga zgjedhjet e fundit do të drejtohet nga gratë. Kjo vihet re në propozimet e partive politike. 

Në historinë e Parlamentit gjerman ka pasur deri tani vetëm dy kryetare.

Tri partitë që shpresojnë të formojnë Qeverinë e re, Social-Demokratët, Partia e Gjelbër dhe Demokratët e Lirë, kanë thënë se shpresojnë të kenë kancelarin e ri të shtetit në fillim të dhjetorit.