U sulmua nga trajneri, reagon Ahmeti: S’ka pasur përplasje fizike dhe as luftë me thika, Afrimin e kam mik
Kryetari i Prishtinës, Shpend Ahmeti, ka reaguar pas lajmit se është sulmuar me thikë nga trajneri i futbollit, Afrim Toverlani, i cili më pas u arrestua nga policia.
Ahmeti në një postim që ka bërë në rrjetet sociale, shprehet se mes tyre nuk ka pasur asnjë përplasje fizike, teksa shton se trajnerin e njeh prej kohësh dhe e ka mik.
Ai thotë se nuk ndihet i kërcënuar dhe as i rrezikuar nga trajneri, ndërkohë shpreson që ky i fundit të sqaroj rastin me autoritetet.
“Faleminderit të gjithëve për pyetjet e kujdesin. I pash edhe titujt ne portale. Nuk ka pas kurrfarë ballafaqimi fizik e as luftë më thika. Afrimin e njoh moti dhe e kam mik. Ka qenë mbrëmë të shtëpia kur nuk kam qenë unë dhe e ka thirr vetë policinë e cila me të arritur e ka arrestuar. Nuk ndihem as i kërcënuar e as i rrezikuar nga Afrimi edhe pse vizitat e vona në shtëpi kur nuk jam prezent dhe me fëmijë të mitur prezent nuk janë të mirëseardhura. Mirëpo, nuk ka pas as fjalosje e as ndonjë fjalë të rëndë me fëmijët dhe familjen. Shpresoj që këtë incident Afrimi ta sqaroj e kaloj sa më lehtë me organet e rendit. Duke e pas mik qe një kohë të gjatë nuk besoj që ka pas qëllim të sulmit apo kërcënimit”- shkruan ai.
Në media pak orë më parë qarkulloi lajmi se Ahmeti është sulmuar me thikë nga trajneri i futbollit Afrim Toverlani, i cili ka qenë nën ndikimin e alkoolit, në momentin që ka bërë një veprim të tillë. Mirëpo ky lajm është përgënjeshtruar nga vetë Ahmeti.
