Protestë me bori kundër masave anti-Covid në Kosovë

Masat e reja anticovid për sektorin e bar-restoranteve në Kosovë po priten me pakënaqësi dhe protesta qytetare.

Në Prishtinë, Shoqata e Gastronomëve të Kosovës dhe drejtues automjetesh u ranë të dielën në mbrëmje për disa minuta borive në rrugë, duke dalë kundër masës që e detyron sektorin të mbyllë aktivitetin në orën 23 dhe nga mesnata të aplikohet ora policore.

Shoqata e Gastronomëve kërkon që dalja nga kriza të mos kryhet me masa penguese por duke stimuluar vaksinimin e popullatës, dhe përderisa në këto biznese lejohen tani vetëm personat e vaksinuar apo ata që paraqitin dëshmi imuniteti, që ato të punojnë me kapacitete të plota.

Situata epidemiologjike në Kosovë është qetësuar prej muajit shtator dhe një ditë më parë vendi regjistroi vetëm 13 raste të reja infektimi dhe asnjë viktimë nga virusi i ri korona.