Kosovë/ Arrestohen 5 persona të dyshuar për trafikim me njerëz, midis tyre 2 gra

Policia e Kosovës ka arrestuar pesë persona të dyshuar për veprën penale “trafikim me njerëz”.

Autoritete përkatëse në Kosovë bëjnë me dije se hetimet kanë nisur pas raportimit të një rasti nga një grua kosovare, e cila ka qenë viktimë.

Në mesin e të arrestuarve janë tre burra dhe dy gra.

“Lidhur me këtë rast, viktima e trafikimit është intervistuar në prezencën e punëtorit të Qendrës për Punë Sociale, si dhe mbrojtësit të viktimave”, thuhet në deklaratë.

Viktima, më pas, thuhet të jetë dërguar në strehimoren e dedikuar për viktimat e trafikimit.

Policia po ashtu tha se, në kuadër të provave, ka konfiskuar dy revole, një sasi të vogël të substancës që dyshohet të jetë narkotike, disa gëzhoja, dy automjete dhe dy telefona mobilë.

Me aktvendim të prokurorit, katër të dyshuar janë dërguar në mbajtje deri në 48 orë, kurse një e dyshuar do të trajtohet në procedurë të rregullt, thuhet në komunikatën e Policisë së Kosovës, shkruan REL.

Vitin e kaluar, në Kosovë janë arrestuar 104 persona të dyshuar për vepra që lidhen me trafikimin me njerëz, në mesin e të cilëve 90 shtetas të Kosovës, ka njoftuar më herët Policia e Kosovës.