Kosovë-Serbi dialog pa gra/ Nis implementimi i projektit "Përfshirja e grave në tryezën negociuese"
Përfshirja në vendimmarrje është një nga problemet që hasin më së shumti gratë politikane të Kosovës. Në vend ka filluar implementimi i projektit “Përfshirja e grave në tryezën negociuese” për ta rritur rolin e tyre në dialogun me Serbinë.
Kosovës i mungojnë diplomatet gra për dialogun me Serbinë dhe burrat politikanë vijojnë të dominojnë vendimmarrjen në vend.
Të martën, zyra e Bashkimit Europian në Kosovë mbështeti projektin për "Përfshirjen e grave në tryezën negociuese". Aktivitetin në Prishtinë e hapi Tomas Sunjog, shefi i zyrës së BE-së.
“Pjesëmarrja e grave në vijën e parë të negociatave ndërkombëtare gjithashtu është diçka që ka munguar. Me përjashtimin e Edita Tahiri ish-kryenegociatore e dialogut në mes 2011-2016 shumë pak gra kanë marrë pjesë në ekipet negociuese dhe atë për periudha të shkurtra kohore...
Po besoj që kjo do të kontribuojë drejtë një botëkuptimi më të mirë të nevojave që Kosova t’i përfshijë gratë në proceset relevante të negocimit. I inkurajoj ata në Kosovë të cilët e kanë fuqinë që të emërojnë gra në pozita vendimmarrëse që ta bëjnë këtë, të përfshijnë gratë në nivel të lartë të negociatave që është e rëndësishme për Kosovën. Duhet të shihet kjo si një mundësi, statistikisht është dëshmuar që proceset e negociatave të cilat përfshijnë gra kanë gjasa më të mëdha që të jenë të zbatueshme ose të qëndrueshme.”- tha ai.
Sunjog iu referua progres raportit të fundit duke kërkuar zbatimin në praktikë të rekomandimit për përfaqësim të grave dhe barazi, vlerë kjo themelore e unionit dhe kërkesë kushtetuese.
Zv.kryeministrja e Kosovës, Emilia Rexhepi, tha se qeveria i ka dhënë hapësirë të madhe gjinisë femërore, por pranoi që mund të ketë më shumë vend për gratë në negociatat me Serbinë.
“Çdo problem mund të zgjidhet rreth tavolinës, për të duhet të bisedohet, të flitet dhe konsiderojë që çdo herë duhet me një popull me të cilin keni qenë i armiqësuar qoftë nëse bëhet fjalë për luftë apo konflikt duhet të flitet, të bisedohet, të negociohet për progres më të mirë të shteteve tona në të ardhmen.
Përfaqësojë idenë e jetës së përbashkët të të gjitha komuniteteve pa marrë parasysh përkatësinë nacionale dhe fetare, si dhe të gjuhës që e flasin në Kosovë dhe janë përmendur vlerat e diversitetit dhe kjo është një begati, pasuri që si shtet e posedojmë. Vetëm në këtë frymë duhet të shkojmë përpara dhe vetëm në këtë frymë duhet si qeveri, si sektor civil, si qytetarë të Kosovës, para së gjithash sikur prindër t’i qojmë përpara fëmijët tanë në rrugë drejtë BE-së. Për çfarë arsye nuk ka në një kohë kaq të gjatë gra të përfshira në këtë proces kjo varet nga indikatorët e shumtë.”- u shpreh ajo.
Në raportin e prezantuar nga përfaqësuesja e projektit, Jovana Radosavljeviq, u veçuan për kontributin e tyre ish-ministrja e Dialogut, Edita Tahiri, dhe pasardhësja Meliza Haradinaj-Stublla.
“Popullata në përgjithësi e ka një mendim negativ për procesin e Brukselit, ata mendojnë që nuk ka transparencë dhe nuk ka pasur kurrfarë përfitimi personale prej këtij procesi.
Të gjitha këto procese të negociatave kanë të përbashkët atë që gratë nuk kanë qenë të përfaqësuara në nivel domethënës në tryezë. Në Rambuje ka pasur përfaqësim 16 burra dhe një grua, vetëm z.Tahiri ka qenë aty, përderisa ka qenë ekipi krejt meshkuj në mes 2011-2017 më duket kjo është Meliza Haradinaj ajo që ka qenë pjesëmarrëse. Prezenca e grave në këtë ekip nuk ka qenë e mjaftueshme.”- tha ajo.
Raporti "Përfshirja e grave në Kosovë në tryezën negociuese" përmbledh konkluzionet dhe diskutimet e zhvilluara në Prishtinë, Prizren, Ferizaj, Graçanicë dhe në Mitrovicën Veriore.
Kushtetuta e Kosovës e njeh barazinë gjinore si vlerë kyç për zhvillimin demokratik dhe për dhënien e mundësive të barabarta për gratë dhe burrat.

