Albin Kurti: Serbia duhet të tregojë forcën e saj në ringun e boksit jo në kufi, BE të reagojë

Serbia duhet të tregojë forcën e saj në ringun e boksit jo në kufi. Kështu deklaron kryeministri Albin Kurti në një postim në tëitter pasi Serbia i pengoi boksierët kosovarë të marrin pjesë në Kampionatin Botëror të Boksit që po zhvillohet në Beograd për shkak të simboleve shtetërore.

"Vendimi i tyre për të mos lejuar hyrjen e sportistëve tanë për Kampionatin Botëror të Boksit 2021 është një shkelje e normave të interesit të sportit. U bëj thirrje BE-së dhe komunitetit ndërkombëtar që të dënojnë këtë shkelje dhe veprim diskriminues".

Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit i Kosovës, Hajrullah Çeku, tha më herët se gjatë kësaj jave, Kosova do të vendosë për ndalimin e zhvillimit të “aktiviteteve sportive paralele” serbe.

Çeku tha se rekomandimet, mbi bazën e të cilave autoritetet do të marrin masa, do të vendosen nga Këshilli Kombëtar për Parandalimin dhe Sanksionimin e Dhunës dhe Dukurive Negative në Sport.

Ai tha se në Kosovë funksionojnë shumë struktura paralele të federatave serbe, në kundërshtim me ligjet e Kosovës.

Ndërkohë Bashkimi Evropian në një reagim tha se e mbështet kërkesën e Asociacionit Ndërkombëtar të Boksit që Federatës së Boksit të Kosovës t’i mundësohet pjesëmarrja e barabartë në gara.

Zëdhënësi i BE-së, Peter Stano, në një koment për Radion Evropa e Lirë, u shpreh:

“BE mbështet plotësisht Asociacionin Ndërkombëtar të Boksit në pritjet që delegacioni i Federatës së Boksit të Kosovës të trajtohet njësoj sikur delegacionet e secilit anëtar tjetër. Siç e kemi thënë disa herë në të kaluarën, normalizimi afatgjatë i raporteve dhe pajtimi i qëndrueshëm mes shoqërive fillon me shkëmbimet intelektuale, kulturore, sportive dhe artistike. Shkëmbimet e tilla janë thelbësore për të ndërtuar mirëkuptimin. Autoritetet në të gjitha nivelet nuk duhet t’i kursejnë përpjekjet për të siguruar që shkëmbimi i tillë bëhet rregullisht, në mënyrë të papenguar dhe pa asnjë shqetësim”, shtoi Stano.