“Borxhi merret me një skemë të qartë”, Agalliu: S’ka transparencë se ku do shkojnë paratë
70 milionë euro do të jetë huaja që do të merret nga BERZH si fond sigurie prej KESH për situata të paparashikuara.
Në një intervistë për Ora News, me gazetaren Matilda Mcini, deputeti i PD, Arbi Agalliu, u shpreh se nuk ka transparencë se ku do shkojnë këto para.
Më tej tha se përpara se të merren para borxh fillimisht duhet të ketë një skemë të qartë se si do të shfrytëzohen.
Arbi Agalliu: Përfaqësues të qeverisë dolën dhe thanë nuk do të kemi rritje të çmimit të energjisë elektrike për konsumatorët për biznesin e vogël dhe të mesëm. Nuk thanë asnjë fjalë për sa i përket çmimit të energjisë elektrike për biznesin e madh. Por nëse biznesi i madh do të rrisë çmimin për produktet e tij, efekti zinxhir nuk do të funksionojë.
Paratë borxh merren pa një skemë të qartë. Nuk ka transparencë se ku do të shkojnë këto para, nuk ka një diskutim se sa % na kthen mbrapsht ky investim. Dhe e treta, në raportin e FMN të 2021 kërkohet që të jenë të moderuara investimet publike. Kjo ndodh pasi jemi në një situatë post pandemie dhe duhet të jemi të moderuar. Qeveria shqiptare nuk e ka kapacitetin për të implementuar një projekt të pa vjedhur.
Përgatiti për online Anila Kolgjini.
