70 milionë euro borxh, Agalliu: Boll më me abuzimet, qeveria ka mundësi të mbledh të ardhura mjaftueshëm
Komisioni i Ekonomisë dhe Komisioni I Ligjeve miratuan sot marrëveshjen e garancisë me BERZH për energjinë. 70 milionë euro do të jetë huaja që do të merret nga BERZH si fond sigurie prej KESH për situata të paparashikuara.
Në lidhjen me situatën ekonomike në vendin tonë, deputeti i PD Arbi Agalliu, në një intervistë për Ora Neës, me gazetaren Matilda Mcini, është shprehur se 20% e shqiptarëve po përballen me pamundësinë për të mbajtur frymën gjallë.
Ai thotë se forca e tij politike ka bërë disa propozime të cilat nëse zbatohen do të ndikojnë në përmirësimin e ekonomisë.
Arbi Agalliu: Deri më tani nuk ka rritje të çmimit të energjisë, ka një paralajmërim nga Kryeministri pa asnjë argument, duke thënë se do na lind një fatkeqësi e tretë natyrore. Sot kemi një fakt, rritjen mbi 30% të çmimeve të produkteve të shportës. 20% e shqiptarëve po përballen me pamundësinë për të mbajtur frymën gjallë. Ne kemi bërë disa propozime konkrete dhe besojmë se që do të kenë impakt në ekonomi. Këto propozime nuk janë populiste. Kemi TVSH më të lartë të produkteve të shportës në rajon.
Agalliu shprehet se qeveria shqiptare ka mundësi që të mbledh të ardhura mjaftueshëm dhe s’ka nevojë të marrë borxh. Agalliu thotë se mjafton që të mos ketë abuzim në ekonomi.
Arbi Agalliu: Paratë janë këtu, por mjafton të shfrytëzojmë në mënyrë efiçente ekonominë, mjafton të mos paguajmë tendera që në mënyrë abuzive i marrim buxhetit shtetit 10 milion euro. Mjafton të mos favorizojnë produktet e luksit apo siç është TVSH zero për karburantin për jahtet. Në propozimin që ne kemi bërë kemi evidentuar qartë se si do të merren këto para. Boll më me abuzivizmin, qeveria shqiptare ka mundësi të mbledh të ardhura mjaftueshëm. S’ka nevojë të shkojë të marrë borxh, por të jetë efiçente duke mirë menaxhuar financat publike.
Përgatiti për online Anila Kolgjini.
