Gropa e koncesioneve, detyrimet për vitin 2022 shkojnë në 13 milionë euro

Ministrja e Financave Delina Ibrahimaj ka prezantuar në Konferencën e Kryetarëve projektbuxhetin e vitit 2022. Në deklaratën e parë ajo nënvizoi se shpenzimet e planifikuara synojnë finalizimin e projekteve të rrugëve nacionale, mbështetjen e sektorit të ujit, shëndetësisë, arsimit dhe sektorit të bujqësisë dhe zhvillimit rural.

Për vitin e ardhshëm Ministria e Financave ka parashikuar të paguajë 13.8 miliardë lekë për kontratat koncesionare nga 12.4 miliardë lekë që është vlera e parashikuar për këtë vit.

Kështu 3 miliardë lekë do të shkojnë për koncesionin e Rrugës së Arbrit, 2 miliardë për skanimin në dogana, dhe 1.7 miliardë shkojnë për koncesionin e sterilizimit të instrumenteve kirurgjikale.

Landfilli, inceneratorit dhe rehabilitimin i vend-depozimeve ekzistuese në Tiranë ku përfshihet dhe prodhimi i energjisë elektrike do ti marrë shtetit 1.5 miliardë lekë.

Ndërkaq ofrimi i shërbimeve laboratorike spitalore do të kapë vlerën e 1.3 miliardë lekëve si dhe rruga Milot- Morinë do të ketë kosto 753 milion lekë.

Në total për koncesionet Partneritet Publik Privat do të përballohen në vitin e ardhshëm 13.82 miliardë lekë, ku përfshihen dhe projektet të reja.

Ministrja Ibrahimaj deklaroi se në vëmendje do të jetë edhe rritja e pagave dhe e pensioneve.

"Rritja e ndihmës ekonomike me 1.45 mld lekë për fincancuar rritjen me 10% të masës së ndihmës ekonomike, dyfishim i ndihmës ekonomike për nënat me shumë fëmijë dhe trefishim i ndihmës ekonomike për gratë e trafikuara dhe fëmijët jetimë nën 18-vjeç. Për indeksimin e pensioneve janë parashikuar 2.6 mld lekë dhe 3.5 mld lekë për bonusin e fundvitit të pensionistëve."

Po ashtu dhe për rininë do të ketë një buxhet të posaçëm.

"Do ketë fokus te të rinjtë përmes një programi që do të aplikohet në shkolla."

Buxheti pas diskutimeve në Konferencën e Kryetarëve do të debatohet në komisionet parlamentarëve për të vijuar më pas dhe në votimin në parlament.