"Shqipëria renditet e 57 nga 193 vende të botës", Softa: Krimi ka depërtuar në strukturat drejtuese të shtetit e policisë

Ngjarjet kriminale të pazbardhura kanë bërë që në raportin e indeksit global për krimin e organizuar Shqipëria të shënojë përkeqësim duke u renditur në vendin e 57 nga 193 shtete të botës. Renditja arsyetohet në raport me faktin se në Shqipëri dominojnë rrjetet kriminale të mbivendosura me organizim të stilit mafioz familjar.

Raporti i Indeksit Global e rendit Shqipërinë së fundmi në vendin e 57 nga 193 shtete të botës për sa i përket kriminalitetit.

Në këtë raport thuhet se Shqipëria dominohet nga rrjete kriminale të mbivendosura dhe aktorë të stilit mafioz familjar.

Grupet e stilit mafioz kontrollojnë tregjet kriminale për drogën, trafikimin e qenieve njerëzore, kontrabandën e njerëzve dhe thuhet se po kalojnë në prokurimin publik.

Ish-drejtuesi i lartë i policisë, Fatjon Softa thotë se shifrat tregojnë se krimi i organizuar tashmë i ka shtrirë tentakulat deri tek administratë dhe më gjerë.

"Është jo vetëm shqetësuese por kërkon një vëmendje nga opinioni publik dhe rrugë për ta zgjidhur, çfarë do bëjmë? Nëse themi se shoqëria po kriminalizohet ose krimi po fillon të dominojë atëherë çfarë do presim? Që një ditë të marrin ata drejtimin e shtetit, të drejtojnë ata Policinë, Prokurorinë apo të vendosin se kush do jetë në Parlament dhe kush do dalë nga parlamenti," u shpreh Softa.

Nisur edhe nga ngjarjet e ndodhura nga janari deri në tetorin e këtij viti ku u regjistruan të paktën 14 atentate të dyshuara nga vrasës me pagesë Softa thekson se problem mbetet zbulueshmërmia.

"Nëse flasim për sisteme me pagesë tregon që krimi ka filluar të ketë dhe grupe e të kthehet në profesion. Fakti që në të gjitha rastet ky lloj profesioni po tregon profesionalizëm, tregon që këta njerëz duhen parë nga vijnë, kush i stërvit? Nuk është problemi se marrin një armë dhe qëllojnë, ata janë shumë në perfeksion," tha Softa.

Qyteti i Vlorës është tronditur 4 herë nga ngjarjet kriminale e më pas renditet Durrësi, Fieri, Shkodra, Elbasani. Të paktën 2 grupe të cilët merren më ekzekutime me pagese janë goditur nga ana e policisë e ndërsa po punohet për dokumentimin e ngjarjeve të tjera.