Helmimi i mbi 300 qytetarëve, Jakaj: Alarm serioz! Institucionet urgjentisht të gjejnë shkakun

Të paktën 370 persona, mes të cilëve edhe dhjetëra fëmijë, janë paraqitur në spitalin e Krujës me shenja helmimi.

Në lidhje me këtë rast, mjeku Besnik Jakaj, në një intervistë për Ora News, me gazetaren Anila Zyberaj, shprehet se është një alarm serioz, ndërsa shton se kjo situatë është serioze dhe kërkon vëmendje të jashtëzakonshme nga institucionet.

Besnik Jakaj: Është një alarm serioz sepse ka një prekje masive të qytetarëve të një qyteti. Shenjat e para janë shfaqur që ditën e diel, dhe njerëzit  janë paraqitur në spital. Situata është serioze dhe kërkon vëmendje të jashtëzakonshme nga institucionet sepse janë rreth 400 qytetarë që janë paraqitur në spital.

Mjeku thotë se numri i qytetarëve që mund të kenë simptoma mund të jetë më i madh se 400 por që nuk kanë pasur nevojë që të shkojnë në spital. Ai thekson se urgjentisht institucionet duhet të gjejnë shkaqet e helmimit dhe t’u vijnë në ndihmë qytetarëve.

Besnik Jakaj: Numri i qytetarëve mund që kanë simptoma si pasojë e helmimit mund të jetë 10-fish më i madh por nuk kanë pasur nevojën për t’u paraqitur në dyert e spitalit. Duke qenë se është kohë pandemie njerëzit qëndrojë në shtëpi. Duhet një urgjencë e jashtëzakonshme nga institucionet përgjegjëse. Në plan të parë të shkon ujësjellësi sepse ujin e përdorin të gjithë qytetarët, por mund të ketë edhe element të tjerë, dhe duhet një hetim i shpejt për t’u përcaktuar shkaqet nga ka ardhur dhe sigurisht dhe përgjegjësitë. E rëndësishme është që të gjenden shkaqet dhe t’u vihet në ndihmë qytetarëve.

Në lidhje me këtë rast Prokuroria ka nisur hetimet në lidhje me ngjarjen ndërsa edhe Inspektoriati Shtetëror Shëndetësor ka marrë mostrat e ujit për analiza të thelluara.

Përgatiti për online Anila Kolgjini.