Grushti i shtetit në Sudan / Ushtria arreston kryeministrin dhe zyrtarë civilë, fluturimet pezullohen
Ushtria mori të hënën në dorë drejtimin e Sudanit pas një grushti ushtarak që përfundoi me disa arrestime.
Një nga personat nën arrest shtëpiak është kryeministri Abdalla Hamdok.
Bashkë me të u ndaluan disa ministra dhe zyrtarë nga pjesa civile e Këshillit Tranzitor për Sovranitet, që ushtria dhe civilët e formuan dy vite më parë pas rrëzimit të presidentit Omar al-Bashir.
"Së pari, në gjithë vendin është shpallur gjendja e jashtëzakonshme. Është shkrirë qeveria, janë përjashtuar anëtarët e saj dhe krerët e provincave. Por ne do i respektojmë akordet ndërkombëtare që ka firmosur kabineti tranzitor."
Lajmi i së hënës u prit me protesta në kryeqytetin sudanez, ku qytetarët dolën dhe dogjën goma makinash në rrugë.
Autoritetet thanë se aeroporti i Kartumit ka pezulluar fluturimet me jashtë, është ndërprerë interneti në gjithë vendin dhe janë bllokuar urat lidhëse nga ushtria.
Mbështetësit e ish-presidentit al-Bashir tentuan edhe në shtator të marrin me forcë pushtetin që ata e humbën në 2019-ën pas gati 30 viteve.
Sudani ndodhet prej muajsh në një krizë politike të acaruar nga situata me pandeminë, varfëria e madhe dhe rritja e papunësisë dhe e çmimeve.
Kryeministri Hamdok ka qenë ekonomist në Kombet e Bashkuara dhe shpresonte të ndërmerret reforma ambicioze deri vitin e ardhshëm, kur Sudani pritej të mbante zgjedhjet demokratike për t'u ndarë përfundimisht nga rendi ushtarak.


