Italia lider botëror në konsumin e eksportin e makaronave, 23.5 kg në vit për person
Për vitin 2021 Italia konfirmohet vendi lider në prodhimin e eksportin e makaronave, sektor që nuk njohu krizë nga emergjenca pandemike, por përkundrazi është në evolucion studimi e kërkimi, me risi që zbulojnë prodhimin antik të farave të grurit deri tek makineritë më teknologjike për mbjelljen e prodhimin e një cilësie sa më të mirë.
Makaronat janë një nga ushqimet më tradicionale e përfaqësuese për Italinë, e për të gjitha produktet ushqimore "made in Italy".
Në formate e mënyra të ndryshme gatimi, është pjata simboli i kuzhinës italiane, me një historik që nis qysh në antikitet e me sekretin e jetëgjatësisë në përbërësit e thjeshtë të saj, sic e thotë vetë fjala latine "pasta; miell, ujë e kripë".
Sektori agro-ushqimore është i vetmi që në Itali nuk njohu krizë nga emergjenca shëndetësore, përkundrazi pati një rritje mbi 16% të prodhimit, e makaronat janë nga zërat kryesorë të konsumit ushqimor italian.
Sot në ditën botërore të makaronave, World Pasta Day. Agjencia e Prodhuesve e sipërmarrësve ushqimorë italianë, konfirmon se Italia është vendi i parë në botë për konsumin e makaronave.
Çdo italian konsumon mesatarisht 23.5 kg makarona në vit.
Pas tyre renditen marokenët me 17 kg makarona, venezuelianët me 15 kg e grekët me 13 kg makarona në vit për person.
Vlera e prodhimit të makaronave në botë është mbi 20 miliardë euro e 1/4 e saj është prodhuar në Itali.
Sipas entit të prodhuesve e sipërmarrësve ushqimorë, në Itali prodhohen 3.9 tonë makarona në vit.
Ky sektorë numëron 120 sipërmarrje me rreth 10 mijë të punësuar e mbi 200 mijë ferma bujqësore që furnizojnë miell të cilësisë së lartë.
Spaghetti, tagliatelle, tortellini eti, deri më sot, në Itali rezultojnë të regjistruara 300 forma makaronash me një larmi përgatitje me miell tradicional, integral, pa glutine, me legume e alternativa të tjera.
Italia konfirmohet gjithashtu dhe lider në eksportin e makaronave.
62% e prodhimit, eksportohet në Gjermani, vendi me shifrat më të larta të eksportit të këtij produkti, në SHBA, Francë, Britani e Madhe e Japoni.
Eksporti i makaronave italiane kap vlerën e 2.9 miliardë euro e me një rritje aktuale me 7.1 % në krahasim me periudhën para Covid.
Një nga risitë italiane, është studimi e kërkimi për zbulimin e farave antike të grurit , duke bërë që mjaft ferma t'i mbjellin grurë e mjaft sipërmarrje të prodhojnë makarona me miellin antik.
Periudha e izolimit pandemik e qëndrimit të detyruar në banesa, bëri që italianët të zbulojnë traditën e vjetër të gatimit të brumit të makaronave në shtëpi.
Sipas studimeve gjatë periudhës së lockdown, në çdo 10 familje italiane, 4 prej tyre e përgatisnin vetë brumin e baraz me 41% të konsumatorëve italianë.
Kriza që po njeh tregu i miellit me rreth 150 % të rritjes së çmimit (540 euro për ton) në krahasim me atë të pesë viteve të fundit, si dhe rritja e çmimit të energjisë, gazit e plehut, ka vënë në alarm të gjithë zinxhirin e prodhimit të makaronave në Itali duke kërkuar ngritjen e problemeve të tyre në një tavolinë të përbashkët pune me autoritetet përgjegjëse të qeverisë e Ministrisë së Bujqësisë.
