Erdogan tërhiqet nga vendimi për dëbimin e ambasadorëve

Presidenti turk Rexhep Tajip Erdogan ka tërhequr deklaratën e tij për shpalljen non-grata të 10 ambasadorëve përfshirë edhe atë të SHBA-ve.

Sipas një deklarate nga Ambasada e SHBA në Ankara, gjatë mbledhjes së kabinetit Presidenti turk tha se  tha se ambasadorët e vendeve perëndimore kishin bërë një hap prapa dhe besonte se do të ishin më të kujdesshëm në deklaratat e tyre.

“Qëllimi ynë nuk është absolutisht të krijojmë krizë, por të mbrojmë nderin tonë, krenarinë tonë, të drejtat tona sovrane”, tha Erdogan.

“Duke u nisur nga disa pyetje që janë bërë në lidhje me deklaratën e 18 tetorit Shtetet e Bashkuara të Amerikës konfirmojnë respektimin e nenit 41 të Konventës së Vjenës për Marrëdhëniet Diplomatike”,- thotë Ambasada amerikane në Ankara në një postim që ka bërë në llogarinë e saj në “Twitter”.

Neni 41 i Konventës së Vjenës për Marrëdhëniet Diplomatike vendos si kusht që diplomati të respektojë ligjet dhe rregulloret e vendit ku ai ndodhet.

“Pa cenuar privilegjet dhe imunitetet e tyre, të gjithë personat që përfitojnë nga këto privilegje dhe imunitete kanë për detyrë të respektojnë ligjet dhe rregulloret e shtetit pranues. Ata kanë gjithashtu për detyrë të mos ndërhyjnë në punët e brendshme të këtij shteti.”,- thuhet konkretisht në nenin 41 të Konventës së Vjenës (1961).

Kjo deklaratë e Ambasadës amerikane është ripostuar (retëeet) në “Twitter” edhe nga Ambasadat e Kanadasë, Finlandës, Danimarkës, Holandës, Suedisë, Norvegjisë dhe Zelandës së Re në Ankara, ambasada të cilat kishin nënshkruar deklaratën për [lirimin e] Osman Kavala.

Kujtojmë se pak ditë më parë, Erdogan njoftoi se kishte urdhëruar ambasadorët e dhjetë vendeve të shpalleshin “persona të padëshirueshëm”, sepse ata kërkuan lirimin e Osman Kavalas, biznesmenit, i cili po mbahet nën akuzën e sponsorizimit të protestave dhe nxitjes së protestave në vitin 2016.