Skandali me studentin për gjyqtar, Komisioni i Karrierës merr në shqyrtim rastin, vendimi në janar të 2022
Komisioni i Zhvillimit të Karrierës, që ndodhet pranë KLGJ-së, ka marë në shqyrtim rastin e skandalit të magjistratit për gjyqtar, Elis Dine, i cili rezulton se në muajin prill 2013 është arrestuar në pyllin e Semanit nga policia e Fierit për akuzën e “Përndjekjes” dhe “Heqjes së paligjshme të lirisë”.
Për këto dy akuza, ndaj magjistratit Dine, gjykata e Fierit ka marrë një vendim, duke caktuar masën e sigurisë “detyrim për paraqitje”.
Por në muajin tetor 2013, prokurori i çështjes, Enklid Gjini, vendosi ti pushojë dy akuzat, Elis Dines.
Në një përgjigje zyrtare që, Këshilli i Lartë Gjyqësor, i ka dërguar televizionit “Ora News”, thuhet se:
"Komisioni i Zhvillimit të Karrierës, në varrësi të fakteve të referuara dhe të periudhës, ku ato kanë ngjarë, do të procedohen më tej, në përputhje me kuadrin ligjor në fuqi”.
Më tej në këtë përgjigje KLGJ, sqaron se “në muajin janar 2022, pritet të fillojë procedura e verifikimit të kandidatit për magjistratin në fjalë, pas diplomimit, procedurë që përmbyllet vetëm nëse ai ka ndjekur programin e formimit fillestar dhe do të arrijë të diplomohet me të paktën 70 për qind të pikëve maksimale të mundshme, si dhe të vlerësohet minimalisht "mirë" për të gjitha detyrat e dhëna gjatë stazhit professional, në vitin e tretë të formimit fillestar”.
Në vitin 2019, institucioni i KLGJ-së megjithëse u vu në dijeni nga disa institucione, për arrestimin e këtij magjistrati, vendosi që të mbyllë raportin verifikues si kandidat për në programin fillestar për magjistrat në shkollën e Magjistraturës.
“KLGJ, gjatë shqyrtimit të rezultateve të verifikimit, lidhur me sjelljen e kandidatit, sipas rrethanave të faktit të pranuar nga organi i ndjekjes penale, ka vlerësuar duke konkluduar si episod të shkëputur sjelljen e kandidatit, që daton në Prill të vitit 2013. Kjo përbën një sjellje jo etike, por jo serioze në atë shkallë, sa të bënte të papranueshme ndjekjen nga kandidati të programit fillestar për magjistrat në Shkollën e Magjistraturës”-thuhet në përgjigjen e KLGJ-së.
Në 13 tetor 2021, Ora News publikoi skandalin se një student i magjistraturës, rezultonte i arrestuar për dhunim të një vajze, përndjekje, heqje e paligjshme e lirisë dhe tentativë përdhunimi.
Sipas dokumentacionit të siguruar rezulton se mes dy personazheve të kësaj ngjarje, Elis Dine dhe G.N, ka patur një raport intim.
Por më pas vajza ka vendosur ti japë fund kësaj lidhje, duke mos dashur të shoqërohet me këtë person.
Vajza ka treguar se ish-i dashuri e ka kërcënuar dhe marë me forcë në makinën e tij, nga Fieri në drejtim të Semanit.
Kjo situatë është shoqëruar nga Elis Dine, me goditje me grushta të vajzës brenda në makinë.
Gjatë rrugës, vajza ka tentuar në fshatin Topojë, që të hapi derën e makinës dhe të hidhet me qëllim për tu larguar, por Elis Dine, gjyqtari i ardhshëm i drejtësisë shqiptare, e ka kapur për flokësh duke e mbajtur me forcë, deri në momentin kur kanë shkuar në pyllin e Semanit.
Ai ka dashur ta çojë në një banesë të braktisur dhe ta zhveshi, por në këtë moment ka mbërritur një patrullë policie, të cilët kanë arrestuar Elis Dinen.
