Foto/ As pa simbolet e Kosovës, ekipi i boksit nuk lejohet të kalojë në Serbi
Nuk ka ndryshuar asgjë edhe pas ndërhyrjes së AIBA dhe Komitetit Olimpic Ndërkombëtar për skuadrën e Kosovës që ka mbetur e bllokuar dhe nuk është lejuar për të dytën herë që të kalojë kufirin në Serbi.Ishte Komiteti Ekzekutiv i Kosovës që ka njoftuar se pala serbe nuk ka pranuar t’i lërë të kalojnë ndërkohë që të Dielën nis edhe Botërori i boksit amator në Beograd.
“Pas konsultimeve mes KOK-ut, AIBA-s dhe Komitetit Olimpik Ndërkombëtar, dhe me rekomandim të AIBA-s, ekspedita e boksit u nis sonte drejt pikës kufitare në Merdarë, pa veshur uniformën me simbole tonat shtetërore, arsyetim që policia serbe e kishte gjetur në tentimin e parë në kufirin tek 'Dheu i Bardhë'.
Mirëpo, edhe pa simbole shtetërore në veshjet sportive, ekipi nuk u lejua të kalonte kufirin.
Sekretari i përgjithshëm i Federatës së Boksit të Kosovës, Latif Demolli, ka thënë për KOK-un se arsyetimi i policisë serbe ishte se delegacioni ynë ka hyrë në sistem dhe Qeveria e Serbisë nuk lejon hyrjen e tyre.
KOK menjëherë ka njoftuar AIBA-n dhe KON-in për veprimin e Qeverisë serbe, të cilin e konsideron kryekëput politik dhe që tenton me çdo kusht t'ua mohojë garimin boksierëve tanë në Botëror”, shkruan Komteti Olimpik i Kosovës./Ora News/.
