Afron El Clasico, Depay ëndrron golin. Kroos: Gjithçka ndalet për 90 minuta
Pas më shumë se një vit, “Camp Nou” do të mbushet me 90 mijë tifozë dhe nuk është ndeshje normale. Po flasim për “El Clasicon” Barcelona-Real Madrid, e para e këtij sezoni që vjen këtë të dielë në orën 16:15.
Me duelin që po afron, edhe ethet e tifozëve rriten teksa presioni shtohet te lojtarët ku sot foli edhe për një përballje të parë në karrierë, Memphis Depay. Për sulmuesin holandez të ardhur këtë verë do të jetë “El Clasico” që mund të sjellë edhe shpërthimin e tij pasi edhe vet e pranon që nuk ka bërë ende atë që pritej.
“Është një ndeshje që e shikojnë në të gjithë botën, është një ëndërr për mua të luaj në El Clasico. Kam një dëshirë të madhe të përballem me Real Madridin dhe jam i sigurt se do të jetë spektakolare, të gjithëve u ka munguar të përjetojnë një sfidë të tillë me tifozët në tribuna. Nuk ndjej asnjë presion, jam i lumtur dhe është e pabesueshme kur luaj në Camp Nou. Por ndjej se mund të jap edhe më shumë, nuk jam plotësisht i kënaqur me performancën time këtu. Dua të shënoj sa më shumë gola dhe të jap asiste me fanellën e Barçës”, u shpreh lojtari holandez.
Nga ana tjetër është Toni Kroos që i përgjigjet sulmuesit holandez, me lojtarin gjerman që konfirmon se për 90 minutat e ndeshje gjithçka do të ndalet për shijuar spektaklin e madh.
“El Clasico është gjithmonë një sfidë e veçantë, të gjithë e dinë që kjo ndeshje është e ndryshme nga të tjerat. Ndihem me fat që kam luajtur kaq shumë El Clasico në karrierën time... Një sfidë si kjo është gjithmonë e paparashikueshme. Nuk ka rëndësi nëse arrijmë si të parët apo të dytët, për 90 minuta çdo gjë ndalon dhe ka rëndësi vetëm ajo që ndodh në fushë. Natyrisht ne do të shkojmë në Barcelonë për të fituar, qëllimi i Real Madridit këtë vit është të sjellë në shtëpi shumë tituj", përfundoi mesfushori madrilen./Ora News/.
