Teuta bën kampionen ndaj Egnatias, vjen dhe fitorja e parë për Laçin
Në “Egnatia Arena”, kampionët në fuqi të Teutës ishin thirrur për të bërë kampionen në fakt pas asaj humbjeje të thellë ndaj Tiranës. Skuadra e Martinit duhej të jepte përgjigje dhe e dha ashtu siç e ka bërë vitin e shkuar ku pas çdo humbjeje ka dhënë goditje prej kampioneje.
Teuta arriti të fitonte 1-0 këtë takim shumë të luftuar falë një goli të shënuar nga Kallaku në minutën e 80’ me penallti. Ishte Gruda që fitoi këtë penallti pas një kontakti në zone me Krivanjen dhe për arbitrin nuk kishte dyshim siç edhe Kallaku ishte i sigurtë në ekzekutimin e tij.
Egnatia kështu ndal ecurinë pozitive nën drejtimin e Maganit teksa Teuta me këtë fitore ngjitet duke arritur për momentin Tiranën në renditje me 11 pikë.
Në Kamëz ndërkohë, Laçi ka siguruar fitoren e parë, të shumëpritur në këtë sezon të Abissnet Superiore. Me një trajner të paktën të përkohshëm në stol si Sero Noka pas shkarkimit të Vukiçeviç, kurbinasit arritën të mposhtnin 1-0 Kastriotin në fushën e Kamzës falë një goli të Mazrekaj.
Dueli që ishte shumë i forte fizikisht nga të dyja ekipet pati emocione të mëdha sidomos në pjesën e pare ku të dyja ekipet mund të shënonin, madje Kastrioti e gjeti golin me anë të Grgiç por u anulua për pozicion jashtë loje.
Fraksioni i dytë ishte më i kujdeshëm por gjithsesi me Laçin më insistues dhe falë një aksioni nga krahët të Roganoviç, ishte Mazrekaj që arriti të çonte topin në rrjetë.
Me këtë fitore, Laçi ikën nga fundi i tabelës duke parakaluar edhe Kastriotin që mposhti sot në Kamëz./Ora News/.
