Martini i gëzohet marrjes së 3 pikëve. Noka zbulon këshillat e Duros për Laçin

Në dy ndeshjet e zhvilluara sot në Abissnet Superiore pati dy fitore të skuadrave mike. Të dyja ishin fitore shumë të rëndësishme ku për Teutën që vinte pas humbjes së rëndë me Tiranën ndërsa Laçi e bëri “sefte” në kampionat.

Në këtë aspekt, trajneri Edi Martini vlerësoi skuadrën për atë që bëri në fushë dhe për reagimin e menjëhershëm pas Tiranës.

“Vinim pas një ndeshjeje të humbur ndaj Tiranës dhe kishim punuar shumë në aspektin psikologjik, për t’i nxitur lojtarët të tregojnë veten në fushë. Ishte shumë e rëndësishme të merrnim pikët dhe ia dolëm, ndaj jam shumë i kënaqur, por ende ka shumë vend për përmirësim. Ndaj Tiranës bëmë gabime elementare. Nuk është se e nënvlerësuam, por humbëm prej gabimeve tona. Është e vështirë të luash në fushë asnjanëse, pasi edhe kundërshtari të sulmon më shumë, është më trim, megjithatë shpresoj që të rikthehemi sa më shpejt në stadiumin tone”.

Ndërkohë që trajneri Sero Noka i ulur në stol pas largimit të Vukiçeviç te Laçi zbuloi se ish trajneri Duro me të cilin ka punuar në drejtim të kurbinasve i ka dhënë këshilla për të marrë 3 pikët ndaj Kastriotit.

“Për ne ishte një moment i vështirë, pasi vinim nga disa rezultate negative. Unë riktheva skuadrën në lojën që bënim në kohën e trajnerit Shpëtim Duro dhe me ndihmën e këshillat e tij në distancë, ia dolëm të marrim fitoren. Kemi grup të plotë dhe nuk kemi nevojë për lojtarë të tjerë, Problemi i vetëm i Laçit ishte psikologjik, por besoj që me rezultate do ta kalojmë edhe këtë situate të vështirë”, përfundoi Noka./Ora News/.