Martini: Ditë të zymta pas humbjes me Tiranën. Tani dua reagim ndaj Egnatias

Kampionët në fuqi të Shqipërisë rikthehen në fushë të Shtunën në një duel ndaj Egnatias në fushën e këtyre të fundit. Për skuadrën durrsake është duel “kokë më kokë” pasi ekipet janë me 8 pikë të dyja por për trajnerin Martini humbja me Tiranën la disa pasoja duke folur edhe për gabimet e bëra.

"Pas asaj disfate kanë qenë ditë pak të zymta, pasi përveç humbjes, bëmë edhe një lojë jo të mirë. Ishte humbja e parë, por nga ajo ndeshje ne kemi nxjerrë shumë mësime. Bëmë shumë gabime, që sigurisht mund të korrigjohen, por ka edhe ditë të këqija dhe një prej tyre ishte ndaj Tiranës. Gjithsesi e kemi lënë pas krahëve. Fakti që pësojmë gola e shoh gotën gjysmë plot. Vitin e kaluar jemi kritikuar se kemi shënuar pak dhe pësonim po ashtu pak, ndërsa këtë sezon kemi marrë më shumë, por më gëzon edhe fakti që po shënojmë shumë. Pjesën e pësimit të golave do ta rregullojmë patjetër”.

Për Edi Martinin sfida me Egnatian do të jetë e vështirë pasi skuadra e Maganit po bën mirë dhe lojë bindëse.

“Egnatia është një ekip shumë i mirë, me lojtarë me eksperiencë, që qarkullojnë mirë topin dhe lënë pak hapësira. Do të jetë një ndeshje shumë e fortë dhe shumë e luftuar. Këtë kampionat ne kemi luajtur gjithmonë në fushë asnjanëse, për shkak të problemeve me fushën në Durrës. Megjithatë edhe ndaj Egnatias luajmë për të marrë tre pikët, pasi ky është objektivi i vetëm që kemi ndaj çdo kundërshtari”, u shpreh Martini.

Ndërkohë që në konferencën për shtyp foli edhe sulmuesi Sebino Plaku i cili vuri në dukje grupin e Teutës duke u shprehur se skuadra di të reagojë dhe do ta bëjë ndaj Egnatias pavarësisht se trysnia është mbi kampionët në fuqi./Ora News/.