Sulm kibernetik në Agjencinë italiane të të drejtave të autorit, hakerat kërkojnë 3 milionë euro Bitcoin
Agjencia Kombëtare Italiane e të drejtave të autorit, (SIAE) ka rënë viktimë e një sulmi kibernetik i cili ka çuar në vjedhjen e rreth 28 mijë dokumenteve, baras me rreth 60 gigabyte, që përmbajnë të dhëna personale, karta identiteti, karta bankare, si dhe module anëtarësie nga viti 2019 në 2020 të autorëve italianë, anëtarë të kësaj agjencie.
Të gjitha të dhënat janë vënë në shitje në një portal Darkweb e për mospublikimin e tyre online, ky grup kriminal informatik ka kërkuar në shkëmbim 3 milionë euro, të paguara në bitcoin.
Mbi ç'ka ka ndodhur po heton Qendra e Antikrimit Informatik për mbrojtjen e infrastrukturave kritike (CNAIPIC) e Policisë Postale Italiane, e cila po informon dhe autorët italianë të dhënat e të cilëve janë hakëruar.
Sulmi kriminal kibernetik është arritur përmes sistemit të njohur phishing, të një utenti fals që kishte mundur të hynte në sistemin informatik të kësaj agjencie.
Anomalia e këtij regjistrimi u verifikua menjëherë nga kjo agjenci duke bllokuar këtë klient, por pa arritur të evitojë në kohë grabitjen e të dhënave.
Gjatë ditës së sotme, disa orë pas këtij sulmi, mjaft artistë italianë të cilëve u janë vjedhur të dhënat, kanë sinjalizuar se u ka mbërritur një sms me kërkesën e 10 mijë euro në bitcoin për të mos publikuar online dokumentet personale e bankare.
"Mirëserdhe në darkweb, lexon mesazhi, kemi të gjitha të dhënat e tua personale e bankare e për të mos i publikuar online duhet të paguash 10 mijë euro në bitcoin."
Autoritetet policore italiane po punojnë mbi ngjarjen dhe ende nuk është zbardhur numri i artistëve që gjatë ditës së sotme kanë marrë një mesazh të tillë.
Sipas komunikimit zyrtar të bërë nga kjo agjenci janë hakëruar ; të dhënat bankare, të dhënat anagrafike, të dhënat e dokumentet e identitetit, të dhënat personale, adresë e-maili, numër telefoni, anëtarësimi në SIAE.
