Mbretëresha Elizabeth II kaloi një natë në spital, anulon vizitën në Irlandën e Veriut
Mbretëresha britanike, Elizabeth II, kaloi një natë në spital për kontrolle mjekësore, njoftoi Pallati Mbretëror.
Sipas deklaratës për media, mbretëresha tani është kthyer në rezidencën e saj dhe është me “humor të mirë”.
Në deklaratë thuhet se mbretëresha e kaloi natën e së mërkurës në spital dhe se ajo është këshilluar që të pushojë disa ditë, pas një orari të ngjeshur me angazhime publike.
Një vizitë e saj në Irlandën Veriore, e planifikuar për këtë javë, është anuluar.
Mbretëresha Elizabeth II është 95 vjeçe. Ajo e ka marrë fronin e Mbretërisë britanike në vitin 1952.
Në prill ajo humbi bashkëshortin e saj, princin Philip, i cili u nda nga jeta në moshën 99-vjeçare.
Ata u martuan në vitin 1947 dhe kanë katër fëmijë: princin Charles, trashëgimtarin e fronit, princeshën Anne dhe princat Andrew dhe Edward.

