Inteligjenca amerikane paralajmëron: Ndryshimet klimatike do rrezikojnë sigurinë kombëtare deri në vitin 2040

Ndryshimet klimatike do të çojnë në rritje të tensioneve ndërkombëtare, ka paralajmëruar komuniteti i inteligjencës amerikane, sipas raportit të ri.

Vlerësimi i parë i Inteligjencës Kombëtare mbi Ndryshimet Klimatike, parashikon ndikimin e klimës në sigurinë kombëtare deri në vitin 2040.

Vendet do të debatojnë se si të përgjigjen dhe efektet do të ndihen më së shumti në vendet më të varfra, të cilat janë më pak në gjendje të përshtaten.

Raporti paralajmëron gjithashtu për rreziqet nëse teknologjitë futuriste gjeo-inxhinierike vendosen nga disa vende që veprojnë vetëm.

Raporti  prej 27 faqesh është një pamje kolektive e të 18 agjencive të inteligjencës amerikane. Është një vështrim që nënvizon se çfarë do të thotë klima për sigurinë kombëtare.

Raporti jep një pamje të një bote që dështon të bashkëpunojë, duke çuar në konkurrencë dhe paqëndrueshmëri të rrezikshme.

 Vlerësimi  është  publikuar pak përpara se presidenti, Joe Biden, të marrë pjesë në Samitin e klimës COP26 të muajit të ardhshëm në Glasgow, i cili kërkon marrëveshje ndërkombëtare.

Ai paralajmëron se vendet do të përpiqen të mbrojnë ekonomitë e tyre dhe të kërkojnë avantazhe në zhvillimin e teknologjisë së re.

“Rënia e të ardhurave nga karburantet fosile do të rëndonte më tej vendet e Lindjes së Mesme që parashikohet të përballen me efekte më intensive klimatike”, thuhet në raport.

Së shpejti, paralajmëron ai, ndikimi i ndryshimeve klimatike do të ndihet në mbarë globin.

Raporti identifikon 11 vende dhe dy rajone, ku energjia, ushqimi, uji dhe siguria shëndetësore janë në rrezik të veçantë.

“Ato janë më të varfra dhe më pak të afta për t'u përshtatur, gjë që e rrit rrezikun e paqëndrueshmërisë dhe të konfliktit të brendshëm”, thuhet në raport.

Pesë nga 11 vendet janë në Azinë Jugore dhe Lindore: Afganistani, Birmania, India, Pakistani dhe Koreja e Veriut; katër vende janë në Amerikën Qendrore dhe Karaibe: Guatemala, Haiti, Hondurasi dhe Nikaragua. Kolumbia dhe Iraku janë dy vendet e tjera.

Afrika Qendrore dhe shtetet e vogla në Paqësor janë gjithashtu në rrezik, thekson raporti.