Ultimatum 17 pengjeve amerikanë, banda kërkon nga 1 milion dollarë për secilin peng
Misionarët amerikanë të rrëmbyer në Haiti rrezikojnë të vriten nëse SHBA-ja nuk i paguajnë rrëmbyesve të tyre 1 milion dollarë për secilin.
Grupi misionar u mor peng të shtunën e shkuar në kryeqytetin Port-o-Prins pasi kishin dalë nga një jetimore, 16 prej tyre shtetas amerikan dhe 1 kanadez.
Mes pengjeve ka edhe pesë fëmijë, përfshirë një foshnjë tetëmuajshe.
"Ju betohem se nëse nuk marr atë që po kërkoj, do ua jap plumbin në kokë këtyre amerikanëve," tha Uillson Xhozef, lideri i bandës 400 Mauozo, duke qëndruar përpara arkivoleve të pjesëtarëve të tjerë të grupit të vrarë këto ditë nga policia haitiane.
Haiti është një nga shtetet më të varfra të botës, i shkatërruar ndër vite nga katastrofat natyrore, ndërsa këta muaj në vend është shtuar krimi dhe kriza politike pas vrasjes së presidentit haitian, Xhovenel Mois, në muajin korrik.
Këto ditë qytetarët protestuan për situatën me rrëmbimet: mbi 110 persona janë marrë peng në gjysmën e parë të tetorit dhe po aq në shtator.
"Duhet të luftojmë pasigurinë dhe rrëmbyesit në vend. Kemi pasiguri financiare, ekonomike, ushqimore. Liderët e papërgjegjshëm po na lënë në pozita pasigurie të normalizuar."
Qeveria amerikane ka premtuar se do të punojë me policinë haitiane për lirimin e pengjeve, duke futur në operacione edhe FBI-në.


