Të shtënat vdekjeprurëse ndodhën në mes të një skene - Çfarë dimë për tragjedinë në shesh xhirim?
Mbarë opinioni është tronditur nga tragjedia, që ndodhi në shesh xhirim, ku aktori i njohur, Alec Baldwin, në rrethana ende të pa njohura qëlloi aksidentalisht drejtoreshën e fotografisë, e cila humbi jetën dhe regjisorin e filmit, i cili po trajtohet në spital.
Sipas asaj që është bërë e ditur deri më tani për incidentin e tmerrshëm, ylli 63-vjeçar po xhironte një skenë për filmin (ku është edhe bashkëproducent) në Rancho Bonanza Creek , pranë Santa Fe, Neë Mexico, gjatë incidentit tragjik.
Drejtoresha 42-vjeçare e fotografisë Halina Hutchins u plagos për vdekje, ndërsa plagë shumë të rënda pësoi edhe regjisori i Western-it, Joel Souza , 48 vjeç .
Hutchins u dërgua në një spital të Santa Fe ku më vonë u shpall e vdekur, ndërsa Souza ndodhet në gjendje kritike në Qendrën Mjekësore Christus St. Vincent.
Ndërkohë, aktori i njohur, Baldwin u dërgua në stacionin e policisë në Santa Fe, për t'iu përgjigjur pyetjeve në lidhje me incidentin tragjik. Ai nuk u arrestua dhe më vonë u lirua pa akuza, edhe pse hetimi është ende në vazhdim.
Gazeta "New Mexican" publikoi foto jashtë zyrës së hetuesit të policisë në Santa, ku Baldwin shfaqet duke qarë, ndërsa flet me dikë në telefon dhe përkulet, duke mbështetur dorën në gju.
Çfarë dimë për tragjedinë
Deri tani, policia lokale është e rezervuar në lidhje me informacionet rreth rrethanave në të cilat ka ndodhur tragjedia.
Ata flasin për një armë që është përdorur si objekt skenik. Të shtënat ndodhën në mes të xhirimit ose provës së një skene.
Asnjë sqarim nuk është dhënë, për sa i përket se si dy personat u plagosën kur Baldwin qëlloi.
Në një njoftim nga kompania e produksionit thuhet se xhirimet e Rust do të “pezullohen për një periudhë të pacaktuar”, ndërsa theksohet se i gjithë kasti dhe ekipi janë të shkatërruar nga ajo që ndodhi në fermë.
63-vjeçari Baldwin është bashkëproducent dhe protagonist i filmit Rust.



