Pas Green Pass "boom" tamponësh në Itali, të pavaksinuarve i duhen 3 tamponë në javë
Një javë nga hyrja në fuqi e vendimit që bën të detyruar pasaportën jeshile për punonjësit e sistemit publik e privat, në Itali është regjistruar një "boom" i tamponëve e vaksinave anti Covid.
7 ditë pas këtij vendimi, janë regjistruar 407 mijë të vaksinuar të rinj e 2.1 milionë tamponë të shpejtë, me një rritje me rreth 78 % të numrit të zakonshëm të këtyre muajve.
Mesatarja e tamponëve të shpejtë ka kaluar nga 173 mijë në 309 mijë në ditë.
Kërkesa e lartë për tamponë ka bërë që farmacive t'u lejohet të qëndrojnë të hapura jashtë orarit të parashikuar me ligj.
Punonjësit që nuk pranojnë të vaksinohen u duhen mesatarisht 3 tamponë në jave për të punuar, gjë që bën të lulëzojë biznesi i shitjes së tamponëve në farmacitë italiane.
Por efekti i Green Pass është shfaqur dhe në fushatën e vaksinimit të popullsisë me mbi 407 mijë të vaksinuar të rinj. Rreth 86% e tyre i përkasin grupmoshës së aftë për punë, nga 20 në 69 vjeç.
Rritja e numrit të tamponëve dhe të vaksinave në 24 orët e fundit është dokumentuar dhe me lëshimin e 981.855 pahaportave shëndetësore që janë shkarkuar nga sistemi shëndetësor italianë.
Po sa është biznesi i tamponëve për farmacitë italiane?
Ekspertët e ekonomisë kanë analizuar tregun e shitjes për shpërndarësit e mëdhenj të tamponëve të shpejtë në farmacitë italiane dhe konfirmojnë se ky biznes vlen sot nga 5 në 7.5 milionë euro në ditë.
Shpërndarësit farmaceutikë përmes palëve të treta furnizohen me një çmim 2.5 -3 euro tamponi, i cili u shitet farmacive me rreth 3.5-4 euro copa.
Për çdo tampon për t'u analizuar kërkohet mesatarisht koha nga 5 në 10 minuta, gjë që shfaqet në rritjen e kostos së një tamponi me një çmim 15 euro.
Për cilindo që kërkon të blej në bllok 10 tamponë, farmacitë italiane ofrojnë mundësinë e blerjes së tyre me çmimin 100 euro, pra baras 10 euro një tampon.
Kjo llogaritje vlen vetëm për tamponët e shpejtë pa marrë parasysh tamponët molekularë që të dhënat dokumentojnë se kryhen mesatarisht 150 mijë në ditë.
Në Itali për fëmijët e pavaksinuar nga mosha 12 vjeç deri në moshën 18 vjeç kosto e një tamponi të shpejtë është 8 euro.
