Trump sfidon rrjetet sociale me platformën e tij Truth

Sikundër edhe e kishte paralajmëruar, ish-presidenti amerikan Donald Trump ka njoftuar planet për të hapur rrjetin e tij të mediave sociale, të quajtur TRUTH Social.

Ai tha se platforma "do t'i bëjë ballë tiranisë së teknologjisë së madhe", duke i akuzuar ata për mbytje të zërave kundërshtarë në SHBA.

Një version paraprak i TRUTH Social, do të jetë gati muajin e ardhshëm dhe do të ketë një "përhapje mbarëkombëtare" brenda tre muajve të parë të vitit 2022, sipas një deklarate nga TMTG.

Trump Media & Technology Group (TMTG), të cilin ai e drejton, gjithashtu ka ndërmend të nisë një shërbim abonimi me video sipas kërkesës.

Synimi i Trump është rrjeti i tij të konkurrojë rrjetet e tjera si Facebook apo Twitter.

“Jetojmë në një realitet ku talibanët janë gjerësisht të pranishëm në Twitter dhe presidentit amerikan i mbyllet goja. Jam i emocionuar që do ju shpërndaj të vërtetën nëpërmjet rrjetit Truth” tha ai.

Facebook Inc i pezulloi llogaritë e ish-presidentit amerikan Donald Trump në Facebook dhe Instagram për dy vjet.

Ai u ndalua për një kohë të pacaktuar nga të dy rrjetet sociale në janar pas postimeve që bëri në trazirat e Kapitolit të SHBA-së.