Samiti i NATO-s në Bruksel: Masterplan mbrojtjeje nga një sulm rus, në fokus edhe Kina
Ministrat e Mbrojtjes të vendeve anëtare të NATO-s kanë nisur takimin e tyre këtë të enjte në Bruksel për të diskutuar mbi sfidat e aleancës veri-atlantike sa i përket çështjeve të sigurisë në lidhje me Kinën, Afganistanin, Rusinë dhe politikat e përbashkëta teknologjike.
Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg tha se ministrat e mbrojtjes do të diskutojnë edhe për parandalimin që Afganistani të bëhet një strehë e sigurt për terroristët.
Shefi i Pentagonit, Lloyd Austin shkroi në Twitter: "Jam këtu për të ndihmuar në avancimin e përshtatjes ushtarake të NATO-s dhe për të siguruar që aleanca është e përgatitur për sfidat e së ardhmes".
Përpara se të mbërrinte në Bruksel, Austin ishte në disa prej vendeve që lagen nga Deti i Zi për të zhvilluar bisedime me liderët përkatës. Shefi i Pentagonit than ga Rumania se administrata e Bidenit është e përkushtuar për të forcuar lidhjet e saj euro-atlantike, ndërsa do t’i kushtojë vëmendje sigurisë së krahut të saj lindor në NATO.
Vizita e Austin në Rumani pasoi ndalesat në Ukrainë dhe Gjeorgji, dy vende që aspirojnë të anëtarësohen në NATO dhe që janë pushtuar pjesërisht nga forcat e mbështetura nga Rusia.
Tensionet janë rritur mes Rusisë dhe NATO-s, teksa Rusia njoftoi pezullimin e misionit të saj të përhershëm në NATO në përgjigje të dëbimit të tetë rusëve në fillim të këtij muaji, të dyshuar si agjentë, nga selia e NATO-s në Bruksel.
Rusët reaguan edhe ndaj deklaratave të Austinit në Kiev. Ndërsa ai e quajti Rusinë një "pengesë" për çdo zgjidhje paqësore të luftës që shpërtheu në lindje të Ukrainës dhe se askush nuk mund të thotë jo që Ukraina të jetë pjesë e NATO-s. Rusët do ta konsideronin një veprim shumë të rrezikshëm, tha zv. ministri i Jashtëm rus.



