Po raportonin protestat në vend, talibanët dhunojnë gazetarët në Kabul
Talibanët po i trajtojnë dhunshëm gazetarët të cilët po mbulojnë protestat kundër tyre në Afganistan.
Një reporter i huaj dhe dy kolegët e tij, të enjten u ndoqën e u sulmuan fizikisht dhe verbalisht nga militantët teksa po filmonin dhjetëra gra afgane duke marshuar për të drejtat në shoqëri.
Ata qenë pajisur me veshje e armë luftarake amerikane dhe kallashnikovë.
Grupi i grave protestoi nëpër rrugët e kryeqytetit Kabul për të ndalur te Ministritë e Arsimit dhe të Financave.
Me parulla në duar ato kërkuan t'u rikthehet e drejta "për të studiuar e punuar", "të mos politizohet arsimi" dhe se "papunësia do u sjellë varfëri e uri".
Afganistani është prej dy muajsh nën kontrollin e talibanëve dhe me krijimin e qeverisë së re, fundamentalistët myslimanë ua kanë ndaluar vajzave të ndjekin shkollën e mesme, ndërsa shumë gra janë larguar nga puna.
Disa qindra gra afgane janë hequr edhe nga sistemi i drejtësisë nën kërcënimin se kanë dhënë verdikte në dëm të burrave për raste të dhunës në familje, për divorce apo për kujdestaritë.
OKB-ja ka kërkuar që komuniteti ndërkombëtar t'i kushtëzojë ndihmat financiare për Afganistanin nëse talibanët nuk zotohen se do i respektojnë të drejtat e grave në vend.
Women in Kabul have been protesting, demanding education, food and work from the Taliban#SaveAfghanWomen #SanctionPakistan pic.twitter.com/Ym2TelLVtw
— Sohail Noor Khan (@sohailnoorkhan) October 21, 2021



