Gjykata e Posaçme kalon për gjykim dosjen e grupit të Talo Çelës, akuzohen për 2 vrasje me 4 viktima
Gjykata e Posaçme kalon për gjykim dosjen ndaj grupit te Talo Çelës, të akuzuar për dy ngjarje kriminale me 4 viktima.
Në gjykim ka kaluar dosja për Besian Xhixha, Enver Diva, Altin Ndoci dhe për bashkëpunëtorin e drejtësisë, Klevis Alla.
Për te pandehurit Talo Çela dhe Nuredin Dumani gjykata pezulloi me një vit çështjen, për shkak se ata ende nuk janë arrestuar.
Të pandehurit akuzohen për vrasje e vëllezërve Viktor e Besmir Haxhia dhe Dorian Shkoza e Anxhelo Avdia.
Besmir dhe Viktor Haxhia u ekzekutuan me 27 prill 2020 në Durrës. Dy autorët u zbuluan pas dëshmisë së 22 vjeçarit, Klevis Alla, i cili ka marrë tashmë edhe statusin e bashkëpunëtorit të drejtësisë.
Çela i cili është ne arrati dhe me mase “arrest në burg” në mungesë, akuzohet për 5 vepra penale; “Vrasje në rrethana të tjera cilësuese”, ndaj dy ose më shumë personave, e kryer më shumë se një here.
Akuzat e tjera janë “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit” ,“Grupi i strukturuar kriminal”,“Vrasje me paramendim”, e mbetur në tentative, e kryer në bashkëpunim, në dëm të shtetasit Irfan Hazizi i mbetur i plagosur ne nëntor 2020.
Grabitja e Rinasit
Eleminimi i Haxhiajve dyshohet se e ka zanafillën në grabitjen e 6.4 milionë eurove në pistën e aeroportit të Rinasit më 9 prill 2019.
Ata dyshohet se janë vrarë nga Nuredin Dumani, Altin Ndoci dhe Talo Çela. Ata qëlluan nga një automjet që drejtohej nga Klevis Alla, i arrestuar dhe i penduar para drejtësisë.
Ky i fundit ka dëshmuar para hetuesve se si u planifikua vrasja dhe cili ishte motive, ndaj dhe SPAK kërkoi këtë të mërkurë Gjykatës pushimin e pjesshëm të hetimeve për Allen.
Pas atentatit ndaj Haxhiave, te ndodhur ne në 27 prill 2020 prokuroria e bashkoi këtë dosje me atë të dy të rinjve qe u ekzekutuan ne 2 mars 2020, pasi dy vëllezërit kishin njohje dhe marrëdhënie miqësore me viktimat Dorian Shkoza dhe Anxhelo Avdia.
Ata u vranë më pak se 1 km nga vendi ku u ekzekutuan vëllezërit Haxhia, me të njëjtën mënyrë e mekanizëm.