Akuzohet se favorizoi kanabisin, i ikën policisë nënkomisari i Pukës. SHÇBA prangos 4 policë

Një operacion i SHÇBA në bashkëpunim me SPAK është ndërmarrë mbrëmjen e 20 tetorit 2021, duke vënë në pranga 4 inspektorë policie pranë Komisariatit të Policisë Pukë, ndërkohë nuk është mundur të ekzekutohet urdhëarresti për nënkomisarin Kastriot Biçukaj.

29 vjeçari Kastriot Biçukaj me detyrë oficer i policisë gjyqësore pranë Komisariatit të Policisë Pukë, dyshohet për favorizim të “Kultivimit të bimëve narkotike” kryer në kuadër të grupit të strukturuar kriminal. 

Ndaj tij ishte vendosur masa e sigurimit personal me efekt shtrëngues “Arrest me burg” por për arsye të mosgjetjes në banesë, u bë shpalja në kërkim kombëtar.

Ndërkohë katër inspektorët e policisë të Pukës, Alfred Ndoj, 32 vjeç, Fatmir Alija, 50 vjeç dhe Petrit Florini, 49 vjeç janë arrestuar pasi akuzohen për shpërdorim detyre.

SHÇBA njofton se në funksion të këtij procedimi, në zbatim të vendimit të Prokurorisë SPAK, nr. 400, datë 18.10.2021, "janë kryer dhe një sërë veprimesh të tjera proceduriale hetimore në DVP Lezhë,  Komisariatin e Policisë Mirditë dhe Komisariatin e Policisë Pukë, ku për pasojë subjekteve të hetimit u janë sekuestruar  telefonat celularë, të cilët do i nënshtrohen ekspertimeve kompjuterike."

Hetimet vazhdojnë.

Njoftimi i policise

Më datë 20.10.2021, Drejtoria e Hetimit në Shërbimin për Çështjet e Brendshme dhe Ankesat, në funksion të Procedimit Penal nr. 251/2020, në bashkëpunim me Prokurorinë e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, ekzekutoi vendimin Gjykatës së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar Nr. 82, datë 17.10.2020, për punonjësit e policisë si më poshtë vijon:

1. Inspektor Z. M., 48 vjeç, punonjës policie pranë Komisariatit të Policisë Pukë, i dyshuar për kryerje të veprës penale të “Shpërdorimit të detyrës”, me masën e sigurimit personal me efekt shtrëngues “detyrim për t’u paraqitur në policinë gjyqësore”.

2. Inspektor A. N., 32 vjeç, punonjës policie pranë Komisariatit të Policisë Pukë, i dyshuar për kryerje të veprës penale të “Shpërdorimit të detyrës”, me masën e sigurimit personal me efekt shtrëngues “detyrim për t’u paraqitur në policinë gjyqësore”.

3. Inspektor F. A., 50 vjeç, punonjës policie pranë Komisariatit të Policisë Pukë, i dyshuar për kryerje të veprës penale të “Shpërdorimit të detyrës”, me masën e sigurimit personal me efekt shtrëngues “detyrim për t’u paraqitur në policinë gjyqësore”.

4. Inspektor P. F., 49 vjeç, punonjës policie pranë Komisariatit të Policisë Pukë, i dyshuar për kryerje të veprës penale të “Shpërdorimit të detyrës”, me masën e sigurimit personal me efekt shtrëngues “detyrim për t’u paraqitur në policinë gjyqësore”.

Gjithashtu, në zbatim të këtij vendimi u ekzektua masa e sigurimit personal me efekt shtrëngues “Arrest me burg” dhe për arsye të mosgjetjes në banesë, u bë shpalja në kërkim kombëtar për:

5. N/Komisar K. B., 29 vjeç, me detyrë oficer i policisë gjyqësore pranë Komisariatit të Policisë Pukë, i dyshuar për favorizim të “Kultivimit të bimëve narkotike” kryer në kuadër të grupit të strukturuar kriminal.

Gjithashtu në funksion të këtij procedimi, në zbatim të vendimit të Prokurorisë SPAK, nr. 400, datë 18.10.2021, janë kryer dhe një sërë veprimesh të tjera proceduriale hetimore në DVP Lezhë, Komisariatin e Policisë Mirditë dhe Komisariatin e Policisë Pukë, ku për pasojë subjekteve të hetimit u janë sekuestruar telefonat celularë, të cilët do i nënshtrohen ekspertimeve kompjuterike.