Vrasja e "ushtarit" të Aldo Bares, nëna denoncoi në polici zhdukjen: Më ka ikur djali nga shtëpia
Policia po vazhdon ende pa rezultat hetimet në lidhje me vrasjen e 38 vjeçarit Alban Semaku, i njohur edhe si Elton Mermali dhe i akuzuar në të kaluarën si anëtar i bandës së Lushnjes.
Shpresa Mermali, mëngjesin e së dielës është paraqitur në komisariatin e Lushnjës, duke denoncuar zhdukjen e djalit të saj, Elton Mermali alias Alban Semaku.
Denoncimi është administruar nga oficeri i gatshëm i këtij komisariati, por deri në orët e drekës së të Dielës, (17 tetor 2021) askush në policinë e Lushnjës nuk ishte në gjëndje ti jepte një përgjigje, Shpresa Mermalit, se ku ndodhej i biri.
Në denoncimin e saj, Shpresa, u ka pohuar punonjësve të policisë se përgjatë gjithë natës së të shtunës (16 tetor) i biri nuk është paraqitur në banesë dhe se numrin e telefonit e kishte të mbyllur, duke mos mundur të komunikojnë me të.
Sipas saj në rrugë private, kishin kryer verifikime tek njerëz të afërm dhe shokë të, Elton Mermalit, por ata u kishin treguar se nuk kishin dijeni mbi vendodhjen e tij.
Paraqitja në Morg
Vetëm në orët e drekës, policia ka shkuar në banesën e Shpresa Mermalit, duke i kërkuar familjarëve që të paraqitet në morgun e Elbasanit, për të parë një person që ishte gjetur i pajetë buzë lumit Shkumbin në Peqin.
Policia e Elbasanit, nuk ka qënë në gjëndje ta identifikojë këtë person, ndërsa emri i Mermalit është mësuar vetëm pasi në morg është njohur nga familjarët e tij. Për shkak të problemeve me ligjin dhe hasmërive që kishte në qytetin e Lushnjës, Mermali kishte ndëruar gjeneralitet në Alban Semaku.
Për të hedhur dritë mbi këtë vrasje që duket se ka prapavijën e hakmarrjes dhe zinxhirin e ekzekutimeve në Lushnjë, policia e Elbasanit, tashmë po bashkëpunon edhe me komisariatin e Lushnjës, për të mësuar rreth itinerarit të Elton Mermarit dhe personave të fundit që ai është shoqëruar ditën e shtunë.
Pak muaj më parë në Gusht 2021 viktima ishte shoqëruar dhe marrë në pyetje lidhur me ekzekutimin e Bledar Muçës në qëndër të Lushnjës. Në të kaluarën Elton Mermali, ishte dënuar për vrasjen e Ardian Sulçes dhe Bledar Haxhiut, djalit të xhaxhait të Laert Haxhiut.
Çfarë dëshmoi Petrit Liçi
Ndërsa ish-i penduari i bandës së Lushnjës, Petrit Liçi në dëshminë e tij dhënë para gjykatës, shprehet se:”…unë në Tetor të vitit 1998 isha në shtëpi, duke punuar. Prisja blloqe betoni. Vjen Erjon Kashari (një prej të pandehurve) me të cilin kam qenë në shkollë dhe e njihja mirë. Erjoni ka ardhur disa herë me Elton Mermalin.
Më propozuan të futeshim roje në shtëpinë e Edjan Xhafës, i cili ishte i plagosur dhe ishte në hasmëri. Unë nuk e dija se si kishin qenë punët, por pranova të ruaja shtëpinë e tij ditë e natë, bashkë me Mermalin dhe Kasharin. Ai e kishte shtëpinë pranë kodrës së Lushnjës, të rrethuar si kështjellë.
Pasi qëndruam disa ditë, Edjani na kërkoi ta ndihmonim të bënte një vrasje. Donte të vriste Bledar Haxhiun, por ai ishte i plagosur dhe nuk e bënte dot vetë. Na tha se do të na jepte lekë po ta vrisnim. Pranuam të bënim vrasjen. E pritëm disa herë në kryqëzim. Por një ditë, Edjani erdhi edhe vetë. Na dha një çantë me katër automatikë. Në datën 23 tetor 1998, rreth orës 8 ose 9 të mëngjesit, u nisëm me makinë, unë, Erjon Kashari dhe Elton Mermali.
Pas nesh erdhi dhe Edjani me Dritan Vilën. Pritëm në një kryqëzim. Po vinte Bledar Haxhiu me makinë së bashku me Artan Sulçen. Ne sa e pamë nxorëm automatikët dhe qëlluam. Pasi u siguruam se e vramë, u nisëm. Ktheva kokën dhe pashë që Edjani së bashku me Dritan Vilën kishin shkuar te makina dhe po qëllonin me pistoleta mbi trupat e vrarë të tyre. Më pas u larguam në shtëpinë e Edjanit…”.
Ndërsa në në korrik të vitit 2010, u vra në hyrje të shtëpisë së tij, Gerti Lala, ose “Iriqi” një tjetër anëtar i bandës së Lushnjës. Ndërsa në 14 dhjetorit në vitin 2019 u gjet në një lokal, i vrarë me një plumb në kokë Enver Boriçi, vëllai i Arben Boriçit të dënuar me burgim të përjetshëm.
Ndërsa në 2016, qëllohet dhe plagoset Xhulio Shkurti, nipi i Alfred Shkurtit. Ndërsa në një tentativë të dytë për të vrarë Shkurtin, u ezkekutuan në Lushnjë, Jurgen Hoxha dhe Zamir Latifi.