Nano u përcakton detyrat drejtuesve të rinj të policisë në qarqe: Jeni në provë! Firmos emërimet e reja

Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Gledis Nano, ka firmosur ndryshime të reja në radhët e uniformave blu duke prekur edhe shefat e disa sektorëve në drejtorinë e përgjithshme. Ndërkohë kreu i policisë ka nisur edhe prezantimin e krerëve të rinj të policisë në qarqe, të cilët i emëroi një ditë më parë. Gjatë qëndrimit në Elbasan ku prezantoi drejtorin e ri të policisë Ardian Çipa, Nano ka kërkuar angazhimin e të gjitha strukturave të policisë dhe përmirësim të punës dhe zbardhjes së ngjarjeve pa autor.

Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit Gledis Nano ka firmosur ndryshime të reja në strukturat e rendit ndërkohë që ka nisur prezantimin e krerëve të rinj në drejtoritë e qarqeve.

Gjatë prezantimit të tyre, Drejtori i Përgjithshëm, duke vlerësuar punën e mirë të bërë deri tani, u ka kërkuar drejtuesve të rinj të strukturave vendore, angazhim e përkushtim maksimal për parandalimin dhe goditjen e krimit, të kultivimit të kanabisit deri në zhdukje, parandalimin e krimeve mjedisore dhe ndotjes akustike, parandalimin e përshkallëzimit të konflikteve dhe ndjekjen e tyre, me qëllim zgjidhjen ligjore, duke bashkëpunuar me strukturat e tjera përgjegjëse, bashkëpunim më të mirë me institucionet arsimore, me qëllim krijimin e një ambienti sa më të qetë për mbarëvajtjen e procesit mësimor.

Drejtor Nano, gjatë prezantimeve, u ka bërë të qartë drejtuesve të rinj se janë në provë dhe se secili prej tyre do të vlerësohet bazuar në meritokraci dhe integritet.

Nano ka theksuar se vlerësimi dhe perceptimi i qytetarëve për shërbimin e ofruar nga shërbimet policore, si dhe për rezultatet e arritura në drejtim të krijimit të një ambienti sa më të sigurt për qytetarët do të jenë primare për vlerësimin e ecurisë së drejtuesve në detyrë.

Ndryshimet e reja në polici

1. Drejtues Krenar Muço emërohet në detyrën Drejtor në Drejtorinë e Migracionit, në Departamentin për Kufirin dhe Migracionin, në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit.

2. Drejtues Ferdinand Mara emërohet në detyrën Drejtor në Drejtorinë e Analizës dhe Informacionit Kriminal, në Departamentin e Policisë Kriminale, në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit.

3. Kryekomisar Artur Selimaj emërohet në detyrën zëvendësdrejtor për Sigurinë dhe Policimin në Komunitet, në Drejtorinë Vendore të Policisë Elbasan.

4. Drejtues Albert Nushi emërohet në detyrën zëvendësdrejtor për Sigurinë dhe Policimin në Komunitet, në Drejtorinë Vendore të Policisë Berat.

5. Kryekomisar Ilir Dedja emërohet në detyrën zëvendësdrejtor për Hetimin e Krimeve, në Drejtorinë Vendore të Policisë Vlorë. 

6. Kryekomisar Lorenc Meta emërohet në detyrën zëvendësdrejtor për Hetimin e Krimeve, në Drejtorinë Vendore të Policisë Durrës.

Prezantimi i Çipës në Elbasan

Të martën paradite drejtues të policisë zbarkuan në Elbasan, një nga qarqet më problematike sa i përket ngjarjeve kriminale, ku është prezantuar drejtori i ri i policisë Ardian Çipa.

Ai zëvendëson në këtë post Xhovalin Lokën i cili qëndroi në detyrë vetëm 4 muaj, ndërsa pas largimit nga Elbasani ai do të drejtojë policinë e Korçës.

 Kryepolici Gledis Nano është ndalur për rreth 30 minuta në një takim pa praninë e mediave në Drejtorinë e Policisë së Elbasanit.

Burime jo zyrtare bëjnë me dije se drejtori i Përgjithshëem ka kërkuar nga drejtuesi i ri bluve të Elbasanit angazhim të plotë në luftën kundër krimit.