Krasniqi: LVV e vetmja që s’ka fituar asnjë komunë, rritje votash te LDK dhe PDK
Ditën e djeshme (17 tetor) janë mbajtur zgjedhjet vendore në Kosovë për 38 komunat e saj.
Analisti Lirim Krasniqi në një lidhje të drejtpërdrejtë për “Ora News” me gazetaren Matilda Mcini, u shpreh se Lëvizja Vetëvendosje në Kosovë ka marrë shumë pak vota, teksa shton se është partia e vetme që në raundin e parë nuk ka fituar asnjë komunë.
Lirim Krasniqi: Pushteti lokal ka krijuar një pasqyrë të ribalancimit të forcave politike në Kosovë duke qenë se LVV e cila fitoi zgjedhjet nacionale ka marrë shumë më pak vota në këto zgjedhje dhe aktualisht është pothuajse partia e vetme shqiptare që nuk ka asnjë komunë të fituar në raundin e parë të zgjedhjeve lokale. Ka shumë faktorë që ndikojnë në këtë fakt. Në zgjedhjet lokale vlerësohet më shumë kandidati se sa partia. LVV është në garë, por nga rezultatet e raundit të parë vërehet që ka një rënie të ndjeshme të votuesve dhe një ngritje të partive kryesore opozitare siç është LDK dhe PDK.
Përsa i përket Partisë serbe, Lista Serbe, e cila ka fituar nëntë komuna në këto zgjedhje lokale, Krasniqi u shpreh se kjo lidhet me ndikimin që ka Beogradi Zyrtar.
Lirim Krasniqi: Kjo nuk lidhet me zhvillimet e fundit, por lidhet me konsolidimin ose ndikimin shumë të madh që ka lista serbe nga Beogradi zyrtar. Duhet të kemi parasysh që të gjitha komunat ku fiton lista serbe janë komuna shumë të vogla edhe në sipërfaqe dhe në numër të banorëve dhe fitojnë vetëm për shkak të faktit se në ato komuna ku jetojnë qytetarët serbë nuk zhvillohet ndonjë demokraci për arsye se lista serbe e mbështetur nga Beogradi lejon shumë pak hapësirë të garës.
Krasniqi u shpreh se janë në raundin e parë, në proces të certifikimit dhe pritet që brenda javës të numërohen dhe votat nga diaspora. Ndërkohë ai shtoi se raundi i dytë pritet të zhvillohet më 14 nëntor ku do të jenë përafërsisht 19-20 komuna në garë.
Përgatiti për online Anila Kolgjini.
