Zgjedhjet në Kosovë/ Nesho: Shembull i demokracisë perfekte. Serbia prezente, Vuçiç kërkon dominancë

Ditën e djeshme janë zhvilluar zgjedhjet lokale në Kosovë, ku qytetarët kanë votuar për zgjedhjen e  kryetarëve dhe këshillat e 38 komunave të vendit.

Për diplomatin Agim Nesho, zgjedhjet në Kosovë ishin demokratike, pasi sipas tij rezultatet dolën menjëherë, ndërsa pati edhe ndëshkueshmëri për personat që bën shkelje.

Agim Nesho: Në Kosovë pamë shembullin demokratik të kryerjes së zgjedhjeve. Kosova ka kohë që është bërë një shembull i funksionimit të demokracisë, standartet e saj, nxjerrja e rezultateve në mënyrë të menjëhershme, ndëshkueshmëria.”- u shpreh ai.

Në një intervistë për Ora News, Nesho u shpreh se në krahasim me zgjedhjet lokale të vitit 2017, të gjitha partitë kishin më shumë vota. Ai thotë se zgjedhjet lokale nuk kanë rëndësinë e zgjedhjeve elektorale, pasi njerëzit janë të lidhur me interesin e tyre.

Agim Nesho: Zgjedhjet që ndodhën në 14 shkurt kishin një impakt tjetër. Unë mendoj se zgjedhjet lokale nuk kanë një rëndësi të tillë sepse njerëzit janë më të  lidhur me interesin e tyre. Këto zgjedhje ishin shembull i demokracisë perfekte. Mendoj se të tërë janë fitues. Në krahasim me vitin 2017 te të gjitha partitë ka pasur rritje votash.  Ka pasur rritje të votave në të gjitha partitë. Të gjitha këto tregojnë një rivendosje të balancës. Zgjedhjet lokale e vënë theksin te interesat qytetare. Njerëzit janë të kënaqur edhe me politikën që po bënë partia në fuqi.

I pyetur se a ka qenë Serbia prezente në zgjedhjet, Nesho thotë se Serbia është prezente në Kosovë prej një kohe të gjatë, ndërsa thekson se presidenti serb Aleksandër Vuçiç ka kërkuar gjithmonë dominancë serbe në rajonin Perëndimor.

Agim Nesho: Sigurisht Serbia është prezente, për një kohë të gjatë, është një shtet që nuk pranon një realitet të pakontestueshëm sot që është një realitet botëror.

Republika e Kosovës si një vend i barabartë dhe sovran në Europë, gjithmonë ka tentuar dhe që të mbajë ngritur shtetin paralel për të realizuar ato qëllime që i ka shprehur edhe regjimi i Vuçiç, i cili ka kërkuar gjithmonë dominancë serbe në rajonin e Ballkanin Perëndimor. Është shumë e rëndësishme për të negociuar me Serbinë, e cila nuk ka asnjë të drejtë, as historike as të legjitimuar nga ngjarjet që ndodhën në 2000. Po përpiqet që të përfitojë sa më shumë për të marrë një revansh ndaj një realiteti që është Republika e Kosovës. Prandaj çështja e organizimit të zgjedhjeve dhe shtyrja nga elementët e Beogradit është prezente.

Intervistoi Siklajda Shorja, përgatiti për online Anila Kolgjini.