Vjedhjet në Tiranë, Policia: Problem prezenca e të miturve në ngjarje

Në 8 muajt e parë të vitit 2021, vetëm në Tiranë, janë regjistruar rreth 1504 vjedhje. Policia e shtetit përmes shifrave zyrtare thotë se nga këto vjedhje 1100 kanë arritur të zbardhen, ndërsa shihet me shqetësim prezenca të të miturve në këto ngjarje.

Çdo ditë në komisariatet e vendit raportohen më shumë se 5 vjedhje. 

Qytetarët kryesisht zgjedhin të shkojnë vetë në ambientet e komisariatit për t’i denoncuar. Disa prej tyre ia mundësojnë policisë edhe pamjet filmike, dhe vetë autorët. E tillë është edhe kjo vjedhje e ndodhur më datën 20 shtator të këtij viti.

Siç shikohet edhe nga pamjet, ora shënon 1:31 e mesnatës. 2 fëmijë të mitur tashmë të identifikuar nga policia futen brenda një dyqani fruta perime e cila ndodhet në zonën e 21 dhjetorit në kryeqytet dhe prej saj marrin një shumë prej 500 mijë lekësh.

Vetëm në 8 muajt e parë të këtij viti në qarkun e Tiranës, janë regjistruar në komisariat rreth 1505 vjedhje biznesesh, banesash, makinash, deri nga ato vjedhje më të rëndomta.

Sipas shifrave zyrtare të policisë nga këto vepra penale janë arritur të zbardhën 1100 vjedhje. Nga këto kemi 1519 autorë nga të cilët 453 të arrestuar, 309 të ndaluar, 556 në gjendje të lirë dhe 201 të larguar nga vendi i ngjarjes.

Problem për organet e shtetit është prezenca e të miturve në të tilla vepra penale.

Lupenët e vegjël edhe pasi kapen nga policia nuk përfundojnë në polici, pasi ligji nuk i ngarkon ata me përgjegjësi penale. Pak ditë më parë policia e Durrësit arrestoi një 38-vjeçar, i cili për një hark kohor 4 mujor kishte arritur të kryente të paktën 9 vjedhje në qytetin bregdetar. Po ashtu, sipas policisë, dyshohet se ai është autor i disa vjedhjeve të tjera, të cilat po verifikohen me prova ligjore./Ora News/