Vritet me armë zjarri 38-vjeçari në Peqin, trupi i pajetë gjendet afër lumit Shkumbin
Qarku i Elbasanit nuk po gjen qetësi nga krimi, ku një vrasje me armë zjarri është zbuluar në Peqin. Alban Semaku u gjet i ekzekutuar me dy plumba pas shpine buzë lumit Shkumbin. Dyshimet janë se krimi mund të ketë ndodhur diku tjetër, por trupi i pajetë është hedhur buzë lumit në një zonë të izoluar për të humbur gjurmët! Hetimet janë në vijim.
Një person u gjet i vrarë me armë zjarri në rrethana misterioze në Peqin këtë të diel.
Viktima është një burrë, Alban Semaku, sipas policisë rreth 38 vjeç. Ai u gjet i pajetë në lagjen Çezmë në afërsi të lumit Shkumbin.

Ishin banorët e zonës që lajmëruan për trupin e pajetë, ndërsa verifikimet e para direkt në terren konfirmuan se bëhej fjalë për vrasje.
Siç tregojnë burimet, viktima kishte në trup dy plagë të shkaktuara me armë zjarri, një pas shpinës dhe një tjetër në brinjë, ç’ka tregon se ai është ekzekutuar.
Nga të dhënat e para, ekspertët e kriminalistikës kanë ngritur dyshimin se vrasja ka ndodhur të paktën mbrëmjen e kaluar.
Për momentin mbetet e paqartë nëse krimi ka ndodhur aty, apo trupi është hedhur buzë Shkumbinit për të fshehur gjurmët.
Fakti që zona është e izoluar, pa biznese dhe banesa afër që mund të kenë kamera sigurie e bën të vështirë zbardhjen e dinamikës së vrasjes.
Ndaj policia mësohet se ka sekuestruar pamje të kamerave të sigurisë në biznesë përgjatë rrugës Elbasan Peqin, në funksion të hetimit
Policia dhe prokuroria e Elbasanit thonë se ende vijojnë verifikimet për dokumentimin e vrasjes dhe identifikimin dhe arrestimin e autorit ose autorëve.
Vrasja ne Peqin është ngjarja e dytë e rëndë kriminale në qarkun e Elbasanit në harkun 2 javëve.
Më 5 Tetor nëqytetin e Elbasanit u ekzekutuan Lulzim Bitri dhe Ardian Subashi (Çollaku), krim që ende mbete pa autor.
