Fieri shpëton nga djegia e plehrave, inceneratori i zgjidh hallin Subashit, por do varfërojë Bashkinë

Me nisjen e dërgimit të mbetjeve për trajtim në Inceneratorin e Fierit, Kryebashkiaku Armando Subashi e konsideron të tejkaluar dështimin disa vjecar që kulmoi me zjarrin në fushën e vjetër të Depozitimit në Mbrostar. Çdo ditë në Fier grumbullohen rreth 160 ton mbetje, trajtimi i të cilave në incenerator, ka kosto financiare.

Fieri, ishte një prej Bashkive që u përball me krizën e menaxhimit të mbetjeve gjatë verës, teksa fusha e vjetër ku grumbulloheshin u përfshi nga flakët duke shkaktuar për disa ditë emergjencë mjedisore.

Në ato kushte, zgjidhja e detyruar ishte nënshkrimi i kontratës me inceneratorin e Fierit që do të menaxhojë 160 ton mbetje të Bashkinë në Ditë kundrejt pagesës.

“150, 160 ton mbetje në 24 orë, që do depozitojë atje vetëm Bashkia e Fierit. Kjo do të thotë se fusha ekzistuese e mbetjeve përfundimisht nuk do të pranojë më asnjë metër kub mbetje.”

Këtë të diel, nisi nga puna stacioni i Transferimit të mbetjeve, që funksionon si pikë grumbullimi para dërgimit drejt inceneratorit. 

“Me ndërtimin e këtij stacioni të transferimit që kemi bërë këtu dhe me blerjen e trajlerit, ne besoj që se do të ulim shpenzimet e transportit.”

Teksa e konsideron të tejkaluar dështimin me menaxhimin e mbetjeve, kryebashkiaku i Fierit, thotë se paralelisht kanë nisur një studim për rehabilitimin e fushës së vjetër në Mbrostar

“Duke e kthyer në një mini-pagë të vogël për qytetarët."- shprehet ai. 

Vec Fierit, edhe bashkitë e Lushnjes, Durrësit dhe Shijakut u përballën me krizë mbetjesh që mori zgjidhje vetëm pasi arritën marrëveshje me inceneratorët, por që i ka çuar drejt krizës financiare.