Kosova gati për zgjedhjet të dielën /Garohet për krerët e 38 komunave kosovare dhe për kuvendet komunale
Kosova mban të dielën zgjedhjet në 38 komunat e saj dhe ka koordinuar disa institucione për mbarëvajtjen e tyre.
Mbi 3,500 policë, 35 gjyqtarë dhe 80 prokurorë do të angazhohen për të mbrojtur votën dhe vetë qytetarët.
Kreshnik Radoniqi, kryetari i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve tha të premten se përgatitjet vijojnë prej katër muajsh.
“Nga proceset e kaluara zgjedhore se institucionet tona kanë pasur një numër të papërfillshëm të rasteve në të cilat është ndërhyrë, megjithatë edhe kësaj radhe në ditën e zgjedhjeve do të jemi në koordinim të vazhdueshëm dhe do të reagojmë në çfarë do situate që ndërlidhet me procesin zgjedhor.
Natyrisht se dita më e rëndësishme është dita e zgjedhjeve, prandaj në emër të KQZ-së ftoj subjektet politike, kandidatët e tyre dhe çdo kënd tjetër që ka rol në çfarë do forme në procesin zgjedhor që t’i përmbahen ligjit dhe rregullave zgjedhore në fuqi, në të kundërtën rrezikojnë të kryejnë ndonjë vepër penale. Në fund, dua t’i drejtohemi të gjithë qytetarëve me të drejt vote që të dielën të dalin për të votuar për të zgjedhur kryetarin e komunës së tyre dhe anëtarët e kuvendeve komunale.”
KQZ-ja e Kosovës ka bërë kërkesë që të shtunën dhe të dielën të pezullohet urdhri i qeverisë për orarin policor, për t'i dhënë mundësi lëvizjeje stafit të saj, vëzhguesve dhe komisionerëve.
“Kemi bërë një kërkesë në qeveri për pezullimin e kufizimit të lëvizjes për 48 orë, për të shtunën dhe të dielën me qëllim që të kemi një lëvizje edhe për stafin e KQZ-së, edhe për vëzhguesit, për komisionerët. Të paktën, ndoshta edhe policia nuk do t’i ndaloj ose ndëshkoj. Kjo kërkesë a do të aprovohet apo jo mbetet në vendim marrjen e qeverisë.”
Në konferencën e përbashkët, Policia dhe Prokuroria thanë se kanë krijuar mekanizmat për të ruajtur rendin dhe votën e lirë të çdo qytetari të Kosovës.
“Qëllimi i këtij urdhri operativ në këtë proces zgjedhorë janë, krijimi i një klime të qetë dhe të sigurt për të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës gjatë tërë procesit zgjedhor. Mbajtja e rendit dhe qetësisë publike si dhe sigurisë në vend, para, gjatë dhe pas procesit të zgjedhjeve.
Monitorimi dhe ndërmarrja e masave policore para, gjatë dhe deri në përfundim të procesit zgjedhor, sigurimi i qendrave të votimit, këshillave komunale të zgjedhjeve, depove komunale, qendrës së numërimit të rezultateve dhe depos qendrore. Përcjellja e sigurt dhe sigurimi i të gjitha materialeve sensitive zgjedhore nga të gjitha destinacionet e parapara sipas planit të sigurisë. Vlerësimi preliminar i rrezikut të përgjithshëm për këtë proces zgjedhor është i ulët dhe i mesëm.”
“Të gjithë e dimë që vota është fuqia e vërtet e çdo qytetari dhe për këtë e kemi edhe moton “Mbrojtja e votës së qytetarit”. Tanimë sistemi prokurorial ka krijuar një praktikë të mirë të mbarëvajtjes së zgjedhjeve, duke mbrojtur votën e lirë të qytetarëve, mirëpo për njohuri këtë herë sikur më parë, kemi finalizuar të gjitha procedurat e veprimit të cilat janë pjesë përbërëse e memorandumit me policinë e Kosovës.
Në këto zgjedhje kemi 80 prokurorë kujdestarë së bashku me staf mbështetës, të cilët do të kooperojnë në mënyrë të rregullt dhe në kohë reale së bashku me hetuesit e policisë së Kosovës në 38 komunat e Republikës së Kosovës.
Nëse eventualisht do të ketë ndonjë keqpërdorim i votës së lirë të qytetarëve, prokurori i shtetit së bashku me policinë e Kosovës do të jenë gardian të mbrojtjes së votës. Kështu që do të ndalohen dhe arrestohen të gjithë votuesit të cilët do ta keqpërdorin votën, mirëpo do të arrestohen edhe zyrtarët përgjegjës.”
Kosova ka 1 milion e 885 mijë votues të cilëve u është kërkuar të vendosin politikisht për kryetarët e komunave dhe për kuvendet komunale.
Kandidatët në komunat e mëdha sivjet e kanë fokusuar fushatën zgjedhore te premtimet për më shumë investime në infrastrukturë dhe shëndetësi, dhe më të përgjithshme mbeten zotimet për mbështetjen e ekonomisë, bizneseve, të rinjve dhe sportit e kulturës.
Sondimet e fundit të publikut në kryekomunën e Prishtinës nxjerrin si favorit ish-ministrin e Shëndetësisë dhe kandidatin e Vetëvendosjes, Arben Vitia, ndërsa rivalët e tij janë Urain Ismaili dhe Përparim Rama nga PDK-ja dhe LDK-ja./Ora News/



