Kurti takohet me Abazoviç, bien dakord për bashkëpunim kundër krimit dhe korrupsionit

Kryeministri i Kosovës Albin Kurti është takuar ditën e sotme me zëvendëskryeministrin e Malit të Zi, Dritan Abazoviç.

Takimi mes tyre ka ardhur pas mbledhjes së  Samitit të Ballkanit Perëndimor të organizuar nga “The Economist” me temën “Promovimi i solidaritetit dhe gjithëpërfshirjes në Evropë” që u mbajt sot në Shkup të Maqedonisë së Veriut.

Mësohet se Kurti me Abazoviç  ka diskutuar për marrëdhëniet bilaterale mes dy vendeve.

Mediat raportojnë se Kurti falënderoi Abazoviç për bashkëpunimin e ngushtë mes Republikës së Kosovës dhe Republikës së Malit të Zi në shumë fusha dhe për mbështetjen e vazhdueshme në rrugën e integrimeve evropiane dhe euroatlantike nëpërmjet ndarjes së përvojave dhe njohurive.

Temë kryesore në takim ishte bashkëpunimi mes dy vendeve në luftën e krimit dhe korrupsioni.

Po ashtu zyrtarët kanë diskutuar edhe për lehtësimin e lëvizjes së lirë të qytetarëve dhe heqjen e barrierave që pengojnë zhvillimin më të madh ekonomik dhe investimet në të dy vendet.