Linja ajrore Alitalia bën një fluturim të fundit para se të mbyllet përfundimisht
Tani e falimentuar, linja ajrore Alitalia mbyllet pas shtatë dekadash në biznes.
Në orën 23:10 të mbrëmjes së sotme, fluturimi Alitalia AZ 1586 nga Cagliari (Sardenja) do të ngrihet për herë të fundit në Aeroportin Fiumicino në Romë.
Në avion do të jenë udhëtarët e fundit të një linje ajrore legjendare e cila, për gati 75 vjet, do të ketë përshkuar qiellin italian.
Alitalia startoi më 5 maj 1947 me emrin Aerolinee Italiane Internazionali, me një fluturim të parë Torino-Romë-Catania.
Fluturimi i parë ndërkontinental u zhvillua një vit më vonë, nga Milano në Amerikën Latine.
Tani, e shtyrë drejt falimentimit nga deficitet historike, kompania duhet të mbyllet.
Pothuajse 13 miliardë euro në më pak se 50 vjet u disbursuan nga shteti italian dhe kompania ka qenë në të “kuqe” që nga viti 2002.
Në vitin 2017, Alitalia shpalli falimentimin dhe u mbajt në këmbë nga shteti italian, i cili injektoi 900 milionë euro ndihmë shtetërore të konsideruar si të paligjshme nga Komisioni Evropian.
Në agun e së premtes në mëngjes, Italia Trasporto Aereo (ITA), linja ajrore e re publike do të marrë pishtarin e fluturimeve në vend të Alitalias.
