Kriza energjetike, Komisioni Evropian: Mbështetje financiare për familjet e varfra
Komisioni Evropian prezantoi paketën e masave për përballimin e rritjes globale të çmimeve të energjisë, e cila sipas unionit pritet të zgjasë edhe gjatë dimrit.
Masat afatshkurtra të paraqitura nga Brukseli përfshijnë mbështetjen emergjente për familjet me të ardhura të ulëta përmes kuponëve ose pagesave të pjesshme të faturave dhe autorizimin e shtyrjes së përkohshme të pagesave të faturave të energjisë. Për bizneset e vogla Komisioni Evropain kërkon mbështetjen me paketa ndihme nga shteti dhe reduktim të taksave.
Ndërkohë që u prezantua raporti, disa shtete anëtare të BE kanë nisur tashmë zbatimin në nivel kombëtar të paketave të mbrojtjes për familjet nga faturat e energjisë elektrike dhe ngrohjes të rritura ndjeshëm.
Ndër masat e përmendura në planin e veprimit është që BE-ja të shqyrtojë mundësinë e blerjes së gazit natyror, ruajtjen e energjisë dhe vlerësimin e modelit aktual të tregut në këtë sektor.
Komision Evropian kërkon gjithashtu hetimin e sjelljeve të mundshme antikonkurruese në tregun e energjisë dhe që Autoriteti Evropian i Letrave me Vlerë të rrisë më tej monitorimin e zhvillimeve në tregun e karbonit.
Komisionerja evropiane për Energjinë, Kadri Simson, shprehet se rritja e çmimeve globale të energjisë është një shqetësim serioz dhe me këto masa synohet mbrojtja e konsumatorit dhe mbështetja e kompanive evropiane.
Në deklaratë thuhet se situata me çmimet e energjisë pritet të stabilizohet në pranverë, megjithatë investimet në burimet e rinovueshme nuk duhet të ndërpriten. Rritja e çmimit të energjisë elektrike do të diskutohet më 21 dhe 22 tetor në mbledhjen e ardhshme të Këshillit Evropian, e cila do të mbledhë të gjithë udhëheqësit e vendeve evropiane.



