Izrael/ Doza e tretë e vaksinës kusht për certifikatën e Covid-19
Izraeli dhe Bahrejni janë dy shtete që pritet të mos i njohin më personat e vaksinuar plotësisht kundër Covid-19, nëse nuk marrin dozën përforcuese.
Doza e tretë aplikohet tani për shtresa të caktuara të shoqërisë, si më të moshuarit dhe pacientët që rrezikohen nga sëmundja prej dobësive imunitare.
Kush vaksinohet në Izrael pajiset me një certifikatë vaksinimi të cilën e përdor për të hyrë në hotele, në restorante dhe në ambientet e mbyllura.
Por zëdhënësi i Ministrisë izraelite të Shëndetësisë tha se këto privilegje qytetarët i gëzojnë vetëm për 6 muaj, sepse aq vlen edhe certifikata e gjelbër dhe më pas kërkohet doza shtesë.
Mbi 60 për qind e popullsisë izraelite janë vaksinuar plotësisht ndaj virusit korona me "Pfizer/BioNTech".
Gati 40 për qind e kanë përforcuar mbrojtjen imunitare me një dozë të tretë pasi një studim në vend nxori se dy dozat kanë vetëm 39 për qind efikasitet dhe 95% me të tretën.
Organizata Botërore e Shëndetësisë ka këshilluar që dozat përforcuese të merren vetëm në raste pacientësh që nuk i krijojnë dot vetë antitrupat për shkak të moshës apo sëmundjeve.


