Tragjedi/ Flakët e zjarrit "pushtojnë" pallatin, të paktën 46 viktima, 79 të plagosur
Zjarri në një kompleks 13-katësh në Tajvan shkaktoi të enjten të paktën 46 të vdekur dhe dhjetëra të lënduar.
Godina rezidenciale me hapësira edhe për bizneset mori flakë në orët e para të ditës në qytetin e Kaosiungut.
Zjarrfikësve iu desh mbi katër orë që të shuajnë flakët dhe të shpëtojnë personat e bllokuar.
"Pati zhurma të fuqishme në katin përdhes." "Kur hapa derën për të dalë, gjithçka qe mbuluar me tym të zi," thanë dy banorë nga vendngjarja.
Operacionet e kërkim-shpëtimit u vonuan nga grumbujt me artikuj dhe mbetje të magazinuara në katet e ulëta të godinës 40-vjeçare.
Pjesa e poshtme e kompleksit me 120 apartamente kishte shërbyer prej vitesh për restorante, lokale dhe kinema.
Shkaqet e zjarrit nuk janë qartësuar por një dëshmitar tha se orë më parë kishte pasur një shpërthim të fortë dhe ishte vënë re se linja që e furnizonte godinën me energji elektrike ishte zhveshur dhe zhurmonte vazhdimisht.



