Tjetër hetim për origjinën e Covid-19/ OBSH cakton 26 ekspertë për të gjetur "përfundimisht" zanafillën e virusit

Organizata Botërore e Shëndetit (OBSH) ka njoftuar  se një grup i ri pune mund të jetë mundësia e fundit për të gjetur origjinën e Covid-19.

OBSH ka emëruar 26 ekspertë për t'u bashkuar me trupën e Grupit Këshillimor Shkencor mbi Origjinat e Patogjenëve të Ri(Sago).

Edhe pse ka kaluar më shumë se një vit e gjysmë që nga fillimi i pandemisë prejardhja e origjinës së virusit mbetet ende e paqartë.

Ekipi do të hulumtojë nëse virusi u bartë nga kafshët te njerëzit në tregjet e Wuhanit apo nëse u përhap nga një aksident laboratorik.

Kina e ka hedhur poshtë fuqishëm teorinë e dytë.

Në shkurt, një ekip i OBSH -së i ngarkuar me hetimin e origjinës së COVID-19 shkoi në Kinë dhe arriti në përfundimin se virusi ndoshta kishte ardhur nga lakuriqët e natës, por se duhej më shumë hulumtime për ta vërtetuar këtë.

Drejtori i përgjithshëm i OBSH -së, Tedros Adhanom Ghebreyesus, më vonë tha se mungesa e të dhënave dhe transparenca nga Kina kishte penguar hetimin.

Pjesë e grupit të ri hulumtues janë edhe gjashtë ekspertët që vizituan Kinën si pjesë e ekipit të mëparshëm. Përveç koronavirusit, grupi Sago gjithashtu do të hulumtojë origjinën e patogjenëve të tjerë me rrezik të lartë.