Aksioni në veri, Profesori nga Prishtina: Jo i kalkuluar mirë, në dialog mund të kthehet në disavantazh për Kosovën
Dritëro Arifi profesor i Marrëdhënieve Ndërkombëtare në Prishtinë e cilëson, jo të kalkuluar mirë
aksion e policisë së Kosovës ndërmarrë sot në Mitrovicën e Veriut. Në një intervistë për Ora Neës, profesori thotë se një pjesë e serbëve e kanë shfrytëzuar për ta kthyer në një momentum politik.
““Aksioni ka qenë në të gjithë Kosovën, jo vetëm në Mitrovicën e Veriut, por çdo aksion serbët në veri e kanë shfrytëzuar sikur është politik.
Një kalkulim jo i mirë, i atyre që kanë dhënë urdhrin që policia të ndërhyjë në këtë formë sepse Serbia është e përgatitur për skenare që të bëhet viktimë dhe mund të na shpie që veriu të negociohet më shpejt seç është pritur, pra të kërkohet një autonomi për veriun.
Pra prej një aksioni të policisë që është për të luftuar krimin po shkojmë në një aksion që mund të determinojë të ardhmen e veriut të Kosovës.
Arifi shkon më tej.
“Jam i bindur që shumë shpejt do të kemi ndoshta edhe negociata vetëm për veriun e Kosovës se çfarë do të ndodhë me të. Ka qenë kalkulim jo i mirë nga ana e qeverisë, që një problem kriminel të shndërrohet në problem politik. Është dashur të mendohet më mirë. Të jetë policia ndoshta edhe më mirë e furnizuar nëse shkohet në këtë model. Por policia nuk ka shkuar të vrasë civilë atje, por kjo po keqpërdoret nga ana tjetër. Duhet të kuptojmë që atje ka dhe shërbime të inteligjencës të palës tjetër që mund të inskenojë ndonjë sulm e të mund të shpjerë në një konflikt të padëshiruar sidomos për Republikën e Kosovës”
Involvimi i elementëve politikë në këtë aksion mund të shpjerë shumë më shpejt që të flitet për Asociacionin e Komunave serbe. Sepse serbët këtë synim kanë. Synimi i tyre është që veriut ti jepet një Asociacion ndoshta dhe me kompetenca ekzekutive. Do të ishte rrënim komplet i rendit Kushtetues të Kosovës, e kjo na shpie në debatet që kanë qenë para dy viteve për korrigjim të kufirit. Pra qeveria e Kosovës spo don me e kuptu, por në një farë mënyre po diskutohet për kufirin brenda Kosovës.
E nuk po e diskuton Kosova me Serbinë për veriun e Kosovës por Kosova me Kosovën. Kjo është problematikë që duhet ta zgjidhim shumë shpejt se nëse komplikohet situata mund të vijmë para faktit të kryer që determinojnë edhe dialogun që mund të jetë në disavantazh për Kosovën.
Po si mund të ekzekutohej një aksion i tillë?
Profesor Arifi pranon se Kosova me këtë aksion nuk ka shkelur ndonjë vendim ndërkombëtar, sepse është në territorin e vet kur lufton krimin por duhet pasur kujdes
“Në të ardhmen e afërt duhet të koordinohen edhe me aktorë të tjerë e lokalë si ti qasemi luftës së krimit të organizuar” nënvizon Arifi.
Gjashtë zyrtarë policorë kanë pësuar lëndime trupore, dhjetë banorë të Mitrovicës së Veriut kërkuan ndihmë mjekësore, ndërkaq tetë persona janë arrestuar dhe shoqëruar në stacione policore. Ky është epilogu i aksionit kundër kontrabandës së mallrave të organizuar nga Policia dhe Dogana e Kosovës, që u prit me kundërshtime në Mitrovicë të Veriut dhe Zveçan. Aksioni kundër kontrabandës u zhvillua në rajonin e Prishtinës, Pejës, Mitrovicës së Jugut dhe Mitrovicës së Veriut.
Intervista u mor nga gazetarja Anila Zyberaj.

