Një muaj paraburgim për të dyshuarit për terrorizëm në Kosovë
Pas kërkesës së Prokurorisë Speciale të Kosovës, Gjykata Themelore në Prishtinë ka caktuar masën e paraburgimit me 30 ditë për personat që u arrestuan për terrorizëm.
Policia e Kosovës më 10 tetor arrestoi: Ardijan Gjurajn, Nuhredin Skenderin, Ergim Sylën, Mentor Bellaqan e Shkodran Krasniqi, si të dyshuar për vepra që ndërlidhen me terrorizëm.
Sipas njërit prej avokatëve mbrojtës, të arrestuarit akuzohen “për përgatitjen e sulmeve terroriste ndaj rendit kushtetues”.
Sipas Prokurorisë Speciale, të arrestuarit dyshohen për veprat penale “Përgatitja e veprave terroriste ose veprave penale kundër rendit kushtetues dhe sigurisë së Kosovës”, "Kryerja e veprës terroriste" si dhe për veprën penale “Importi, eksporti, furnizimi, transportimi, prodhimi, këmbimi, ndërmjetësimi ose shitja e paautorizuar e armëve apo materieve plasëse”.
Po ashtu të arrestuarit dyshohen për veprën "Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve"./REL/


