Tensionet në Mitrovicë pas aksionet policor: Lëndohen 6 efektivë të policisë. 8 të arrestuar mes tyre serbë e shqiptarë
Janë rikthyer tensionet në veri të Kosovës, këtë të mërkurën, më 13 tetor, ku qytetarët po kundërshtojnë një aksion të Policisë së Kosovës kundër kontrabandës së mallrave.
Kundërshtia e aksionit policor është agravuar në protestë nga serbët duke bërë që të digjet edhe një automjet i policisë.
Si pasojë, mediat vendase bëjnë me dije se deri më tani gjashtë efektivë policie kanë kërkuar ndihmë mjekësore, kurse janë arrestuar 8 persona.
Gjatë aksionit të sotëm në veri kundër kontrabandës, policia është sulmuar nga serbët lokalë me gur, shok bomba, gaz lotsjellës e mjete të tjera.
Kryesisht dëmtimet e këtyre personave mësohet se janë nga bomba zhurmuese dhe gaz lotsjellës.
Gazetarët e Radios Evropa e Lirë, që gjenden në Mitrovicën e Veriut po raportojnë se në këtë komunë gjatë gjithë kohës po dëgjohen sirenat e kamionëve të zjarrfikësve dhe autoambulancave.
Qytetarët e veriut janë zgjuar nga zhurma e sirena e emergjencave, ndërsa Policia e Kosovës ishte duke zhvilluar aksionin anti-kontrabandës.
Në Mitrovicë të Veriut turmat pothuajse janë shpërndarë, ndërkaq aksioni i Policisë vazhdoi edhe në Zveçan.
